Bota

27 viktima nga bombardimet izraelite në një kamp refugjatësh në Gaza!

Të paktën 27 palestinezë u vranë si pasojë e bombardimit të një shtëpie nga avionët luftarakë izraelitë në kampin e refugjatëve Nuseirat në pjesën qendrore të Rripit të Gazës. Sipas agjencisë zyrtare palestineze WAFA, burimet lokale thanë se avionët luftarakë izraelitë kryen sulm ajror ndaj një shtëpie në kampin e refugjatëve Nuseirat.

Burimet bënë të ditur se në sulm, humbën jetën 27 palestinezë dhe shumë të tjerë u plagosën, shumica kryesisht të zhvendosur.

Theksohet edhe se në sulmin ajror të kryer nga avionët luftarakë izraelitë në zonën Sidra në lagjen Ed-Durc në lindje të qytetit të Gazës ka të vrarë dhe se njëkohësisht me këto sulme është shënjestruar me goditje artilerie edhe pjesa veriore e qytetit të Gazës e zona të tjera.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken do të qëndrojë në Lindjen e Mesme për të gjashtën herë që kur nisi lufta në Rripin e Gazës, në përpjekje për të siguruar një pushim të përkohshëm në luftime, si dhe lirimin e pengjeve.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, nisi më 7 tetor, pas një sulmi të grupit radikal palestinez në jug të Izraelit, që la të vrarë rreth 1 mijë e 200 persona dhe u rrëmbyen afro 250 të tjerë.

Gjatë kësaj vizite në rajon, Blinken do të takohet me udhëheqësit sauditë në Xhedah dhe me ata egjiptianë në Kajro për të diskutuar lidhur me bisedimet që po ndërmjetësohen nga Egjipti e Katari për arritjen e një marrëveshjeje, por edhe për dërgimin e më shumë ndihmave në Gazë, siç tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller.

Bisedimet për arritjen e një armëpushimi do të rinisin gjatë kësaj jave në Katar, por negociatat e vështira disa javore ende nuk kanë siguruar një akord mes Izraelit dhe Hamasit, që Uashingtoni shpreson se do të lehtësonte krizën humanitare që ka mbërthyer Gazën. Blinken tha se ai do të bisedojë për hapat e qeverisjes, sigurisë dhe zhvillimit në Gazë pasi të ketë mbaruar lufta.

Që nga janari, ne jemi duke bërë shumë punë, sidomos me partnerët tanë arabë dhe do të shtyjmë përpara këto biseda, por po ashtu do të diskutojmë se cila është arkitektura e duhur për paqe të qëndrueshme rajonale”, tha Blinken gjatë një konference për media në Manila, para se të nisej drejt Lindjes së Mesme.

Si pasojë e ofensivës tokësore dhe ajrore të Izraelit në Gaza, deri tani janë vrarë pothuajse 32 mijë persona sipas Ministrisë së Shëndetësisë në enklavën që udhëhiqet nga Hamasi.