Bota

Sulme izraelite në Rafah, 2 fëmijë mes 5 viktimave!

Pesë persona u vranë si pasojë e sulmeve ajrore izraelite të orëve të fundit në qytetin Rafah të Rripit të Gazës. Kjo u theksua nga zyrtarë shëndetësorë palestinezë, që saktësuan se mes viktimave ishin edhe dy fëmijë të moshave 6 e 8-vjeç. Më shumë se gjysma e popullsisë së Gazës prej 2.3 milion banorësh ka kërkuar strehim në Rafah ku Izraeli po kryen sulme pothuajse çdo ditë teksa po përgatitet për një pushtim tokësor të qytetit.

Ndërkohë, në Gazën qendrore u vranë katër vetë nga granatat izraelite me tanke. Për Associated Press, familjarët e tyre thanë se ata u vranë teksa po tentonin të zhvendoseshin në veri të Gazës, aty ku ushtria izraelite po përpiqet të mos i lejojë njerëzit të kthehen në shtëpitë e tyre.

Presidenti amerikan, Joe Biden dje nënshkroi një ligj që ndihmon me 9 miliardë dollarë për Gazën, për të cilën ekspertët thonë se është buzë urisë absolute. Miliarda dollarë ndihmë u akordua edhe për Izraelin.

Vijon prej 7 tetorit të kaluar lufta izraelite në Gaza kundër Hamasit, grupit të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian. Pjesëtarët e grupit radikal palestinez hynë vrullshëm në jug të Izraelit dhe vranë rreth 1 mijë e 200 njerëz, kryesisht civilë. Po ashtu rrëmbyen afro 250 të tjerë.

Më shumë se 34 mijë palestinezë janë vrarë, dy të tretat e tyre fëmijë dhe gra. Vrasjet janë pasojë e luftës izraelite në Gaza referuar zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.

Ushtria izraelite ka paralajmëruar palestinezët që të mos kthehen në veri të Gazës. Qindra mijëra palestinezë u larguan nga veriu i enklavës pasi forcat izraelite nisën ofensivën e tyre.

Gjatë luftimeve, pjesë të mëdha të veriut janë shkatërruar, përfshirë shumicën e Qytetit të Gazës. Pas muajsh kufizime të vendosura nga Izraeli për hyrjen e ndihmës në veri, afro 300 mijë persona që gjenden ende në atë zonë, janë buzë urisë sipas OKB-së.

Shumë palestinezë duan që të kthehen në veri, pasi prej muajsh janë strehuar në kampe me tenda, në shkolla të shndërruara në vendstrehime apo në shtëpitë e të afërmve të tyre në jug të Rripit të Gazës. Disa të tjerë janë në Rafah, qytetin më jugor të Gazës.