Aktualitet

A ndihet i intimiduar Arben Kraja nga deklaratat e kryeministrit Rama për SPAK-un?

Kërkesat publike të kryeministrit Rama për hetimin e Berishës, kreu i SPAK-ut, Arben Kraja pyetet nga gazetarët nëse ndihet i intimiduar.

Ishim në një mbledhje të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP. U zhvillua një mbledhje efektive me debatet e duhura dhe produktet e duhura. Nuk kam komente. Unë po punoj normalisht, gjithë prokurorët dhe hetuesit. SPAK ka në hetim shumë çështje penale. Në çdo moment që kemi për të bërë publike diçka, i bëjmë. Nuk kam reagime për asgjë.

Kryeministri Edi Rama saktësoi dje se nuk ka kërkuar dënim, por hetim të personit të shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, referuar ish-kryeministrit Berisha.  Në një konferencë për media nga selia e Partisë Socialiste, Rama iu përgjigj të gjithëve atyre që i kanë konsideruar “ndërhyrje” deklaratat e tij në Asamblenë Kombëtare Socialiste, që zhvilloi punimet të shtunën e kaluar.

Dënimin nuk e vendosim ne, por të hetohet një çështje që është gur në qafë për gjithë Shqipërinë dhe jo një çështje e një personi, është domosdoshmëri. Dhe që të zbardhet deri në fund e vërteta nga një drejtësi e drejtë dhe e pavarur se që është e pavarur, kjo nuk ka pikë diskutimi, se po të mos ishte kështu nuk do të ishin sot prapa hekurave ish-ministra, ish-kryetarë bashkish, ish-deputetë të lidhur me këtë parti që është në pushtet.

Pse duhet të bëjmë ne kallëzim? Nuk ka kuptim të bëjmë kallëzim për “non gratën”. Ajo është gjëja e parë. Ka dalë një akuzë që është më e rëndë se akuza e çdo gjykate nga SHBA. Ndërkohë është bërë vorbull e madhe diskutimesh. Jeni në vete apo jo? Ta marrim ta hetojmë, është apo jo? Nuk kam ndërmend të flas për këtë çështje, por çfarë kallëzimi kërkoni nga ne? Njësia antikorrupsion bën kallëzimin e vet. Nuk mund të bëjmë ne kallëzim për kundërshtarët. Kur nuk ka drejtësi, do i bësh por sot që ke sistem të ri drejtësie, çfarë kallëzimi do bësh? Nuk është puna jonë!

Po ju, a nuk jeni të interesuar që ta dini pse e ka shpallur non grata DASH? Unë jam i akuzuar se e kam bërë dosjen bashkë me Blinkenin dhe një noter atje në SHBA, që ka nxjerrë deklaratat. Këtu ka një pjesë shqiptarësh që nuk e besojnë. Këtu ka një pjesë shqiptarësh që besojnë se e ka bërë Soros me atë të gjatin. Na keni vënë në siklet “virgjëreshën” e vendit tonë. Pas Teutës ishte ky?! Mos i lini kusur kujtdo në anën që unë udhëheq që ka llogari të hapura me drejtësinë!

Kryeministri Rama theksoi se është e patolerueshme që asnjë gjykatës apo prokuror nuk qëndron pak hekurave dhe kërkoi që SPAK-u, të mos merret me persona që nuk kanë të deklaruar 60 metra katrorë, por të tjerë, me më shumë pasuri të pajustifikuar. Ndërkohë, në fjalën e Ramës nuk munguan vlerësimet për punën e SPAK-ut.