Aktualitet Politikë

Afera e kompleksit ‘Partizani’, SPAK i kërkon autorizim Kuvendit për arrestimin e Sali Berishës!

Pasi refuzoi tre herë të paraqitet para oficerëve gjyqësorë ashtu siç e udhëroi Gjykata e Posaçme, SPAK merr hapin tjetër. Përmes një kërkese që mban datën 12 dhjetor 2023 dhe firmën e kreut të SPAK, Altin Dumani i kërkohet Kuvendit autorizimin për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit.

Sali Berisha po hetohet për korrupsion pasiv lidhur me aferën e privatizimit të kompleksit Partizani, pasuar me ndërtimin e 19 kullave si dhe fitimin, sipas SPAK të 5.4 mln eurove të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi. Dhëndri i ish kryeministrit i cili aktualisht ndodhet në ‘arrest shtëpie’ pasi qëndroi një muaj në paraburgim akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash në këtë aferë.

E nderuar znj. Kryetare e Kuvendit!
‘Të nderuar Deputetë të Kuvendit!
Mbështetur në nenin 73 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenin 231, 260, 288, 289 të K.Pr. Penale, si dhe në Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, nenet 13 dhe 118, bashkëlidhur ju përcjellim kërkesën për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali BERISHA, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit personal shtrëngues nga ajo e “Detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit” parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale, në atë të arrestit në burg/ arrest në shtëpi, parashikuar nga nenet 238/237 të K.Pr.Penale, në kuadrin e proçedimit penal nr. 287 të vitit 2020, të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë.