Aktualitet

Aksidentet, më shumë nga të rinjtë! Ekspertët rrugorë shpjegojnë fenomenin shqetësues!

Numri i aksidenteve rrugore gjatë muajit prill është ulur me 25%, krahasuar kjo me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Pjesa dërrmuese e këtyre aksidenteve vjen si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Sipas Institutit të Statistikave shkaktarët kryesorë mbeten shoferët e rinj pasi numri më i lartë i aksidenteve rrugore është kryer nga grupmosha deri në 24 vjeç.

“Në të gjithë botën është i njëjti fenomen sepse të rinjtë janë më euforik, kanë më shumë kureshtje, duan të mburren, duan të bëjnë veprime të pamatura dhe kjo i çon në këtë rezultat sepse vet aksidenti është një veprim në kushtet e euforisë dhe vetëbesimit të vepruar. Si të tillë atyre ju duket sikur bëjnë ndonjë gjë të çuditshme por faktikisht përfshihen nëpër aksidente”.-shprehet Gëzim Hoxha

Por edhe për shoferët e rinj shifrat tregojnë se ka një ulje me 15% nga prilli i 2022-shit. Tirana është qarku që mban numrin më të lartë të aksidenteve, me 38 të tilla vetëm në prill.  Kjo vjen prej numrit më të lartë të lëvizjeve që ka Tirana por sipas ekspertëve ndikojnë edhe faktorë të tjerë.

“Një gjë që nuk më pëlqen tek policia e shtetit është sepse nuk i vlerëson të gjithë përdoruesit e rrugës në mënyrë të barabartë. Pra përdorues rruge janë të gjithë mjetet rrugore, janë karrocat biçikletat, biçikletat me bateri etj. Këto duhen ndëshkuar sepse këtu ndëshkohen vetëm drejtuesit e automjeteve. Nëse një makinë do të hipë tani në trotuar do ti turren 5 makina policie ndërsa nëse një njeri me motor kalon në trotuar nuk thuhet asgjë. Të dy janë përdorues të rrugës,të dy duhet të dënohen në mënyrë të barabartë”-shton Gëzim Hoxha.

Në katër-mujorin e parë të 2023-shit, janë regjistruar 332 aksidente rrugore, çka do të thotë se ka pësuar një ulje prej 11.9% nga e njëjta periudhe e vitit të shkuar. Ndërkohë që numri I të aksidentuarve deri më tani ka shkuar në 454 persona.