Aktualitet

Aksidenti në Vlorë, 4 viktimat përcillen për në banesën e fundit!

Në fshatin Dukas të Patosit sot iu dha lamtumira katër pjesëtarëve të familjes Gushi që dje humbën jetën në aksidentin tragjik në autostradën Fier-Vlorë. Eduard e Silvana Gushi dhe dy vajzat e tyre të mitura Eva e Anastasia u përcollën për në banesën e fundit.

Viktimat ishin kthyer nga Greqia për të kaluar pushimet në Shqipëri e rrugës për te gjyshërit në Vlorë, pësuan aksidentin. Automjeti i tyre u godit me forcë shumë të madhe nga pas nga një “Audi” me motor të madh, me drejtues 22-vjeçarin Igli Madani. Në vendin e aksidentit sot janë vendosur lule.

Madani, nën arrest për aksidentin automobilistik që i mori jetën katër personave, rrezikon deri në 20 vite burg. Për rastet e aksidenteve që shkaktojnë plagosjen e rëndë të disa personave apo vdekjen e tyre, Kodi Penal i ashpërsuar parashikon burgim me minimum 5 deri në 20 vjet heqje lirie. Kjo sipas Nenit 290 që e lidh shkeljen e rregullave të qarkullimit me shkaktimin e pasojave në humbje jete.

Sipas Prokurorisë së Vlorës, masa e sigurisë ndaj Madanit do të shqyrtohet në Spitalin e Traumës në Tiranë ku po trajtohet dhe aty do t’i komunikohet akuza. Jo zyrtarisht, Prokuroria deklaron se i riu po udhëtonte me shpejtësi marramendëse, mbi 200 km në orë. Gjithashtu, pritet që ekspertët t’i tregojnë akuzës nëse i riu ishte apo jo nën ndikimin e alkoolit apo të lëndëve narkotike.

Policia Rrugore konfirmon për Top Channel se Igli Madani rezulton të ketë 6 gjoba si drejtues makine: një për shpejtësi, dy për parakalim të gabuar, një për xhama të zinj dhe dy të tjera për shkelje të sinjalistikës. Në Tiranë, edhe sonte do të protestohet ashtu si një natë më parë, për të kërkuar nga autoritetet reagim për të parandaluar ngjarje të tilla.

Ndërkaq, në Spitalin e Traumës në Tiranë ndërroi jetë kalimtari i moshës 82-vjeç që u plagos rëndë gjatë një aksidenti në kryeqytet. Fatkeqësisht, i moshuari nuk arriti t’u mbijetonte plagëve nga përplasja me automjetin që po udhëtonte me shpejtësi të lartë në afërsi të shkollës “Vasil Shanto”.

Si këmbësor, viktima po kalonte te vijat e bardha kur makina me drejtues një 25-vjeçar e goditi fatalisht. Pas aksidentit, policia arrestoi “Për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” drejtuesin, të cilit ju bë edhe kontrolli me drager por rezultoi se nuk ishte nën ndikimin e alkoolit.