Aktualitet

Albani, fëmija i parë afgan që lind në Shqipëri!

Në spitalin e Lezhës ka ardhur në jetë një djalë që prindërit ia kanë vënë emrin Albi. Ai është sjellë në jetë nga një nënë 27-vjeçare, e cila e kishte lindjen e gjashtë, ndërkohë që gjendja e të dyve është e mirë.

Për këdo ky emër mund të jetë i zakonshëm, por historia që ajo mbart e bën të veçantë. Këtë emër do e mbajë një fëmijë afgan, që së bashkë me prindërit e tij erdhën nga Afganistani, pasi jeta e tyre rrezikohej nga regjimi i talebanëve. E në shenjë falënderimi e mirënjohjeje për vendin që i hapi dyert, atëherë kur më së shumti kishin nevojë, prindërit e pagëzuan me këtë emër kuptimplotë.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për fëmijën afgan që ka lindur në Lezhë.

“Fëmija i parë afgan, i lindur në Shqipëri quhet Albi. Ardhja e tij në jetë pasi prindërit ndoqën lirinë nga toka e tyre drejt Shqipërisë, është një mesazh domethënës i vazhdimësisë së jetës edhe në kohë të vështira”, shkruan Rama.