Aktualitet

Ambasadorja e BE takon Manjën dhe Krajën: Konsolidimi i Reformës në Drejtësi duhet të shkojë përpara!

Ambasadorja e BE, Christiane Hohmann ka zhvilluar ditën e sotme takim me ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja dhe kreun e SPAK, Arben Kraja. Me anë të një postimi në Twitter, Hohmann tha se mbeten synim rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë. Ndër të tjera shtoi se sundimi i ligjit është shtylla kurrizore e rrugës së Shqipërisë drejt BE.

“Sot zhvillova takime të rëndësishme me ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja dhe kreun e SPAK Arben Kraja. Sundimi i ligjit është shtylla kurrizore e rrugës së Shqipërisë drejt BE. Konsolidimi i Reformës në Drejtësi duhet të shkojë përpara.

Synimet kryesore mbeten pavarësia dhe integriteti i institucioneve të drejtësisë, gjykatat efikase dhe rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë në mënyrë që qytetarët të ndihen më të sigurt dhe t’u besojnë institucioneve të tyre të drejtësisë. BE është këtu për t’ju mbështetur në këtë rrugë sfiduese”, shkroi Hohmann.

Christiane Hohmann u emërua Ambasadore e Bashkimit Evropian në Shqipëri në muajin qershor, pak kohë pas përfundimit të mandatit të Luigi Soreca. Ajo dikur mbante postin si ambasadore e Gjermanisë në Estoni dhe më parë ka shërbyer si ambasadore gjermane në Bosnjë-Hercegovinë.