Aktualitet

Ambasadorja Kim, kërkesë Qeverisë për më shumë përpjekje kundër trafikantëve!

Ambasadorja Amerikane, Yuri Kim, nxiti sot Qeverinë shqiptare të shtojë përpjekjet për të dërguar në burg trafikantët e qenieve njerëzore dhe për t’u kujdesur që viktimat e tyre të riintegrohen në shoqëri. Kim i bëri këto komente sot në një konferencë të organizuar nga OSBE-ja mbi bashkimin e përpjekjeve kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Diplomatja kërkoi që Shqipëria me gjithë faktorët e saj, qeverinë, shoqërinë civile, mediat e të tjerët duhet t’u bashkohen në përpjekjen botërore për t’i dhënë fund trafikimit të qenieve njerëzore.

Me shoqërinë civile dhe organizatat joqeveritare që drejtojnë tre prej strehëzave të Shqipërisë për viktimat e trafikimit, Ministria e Brendshme dhe institucionet e Drejtësisë mund të ringjallin përpjekjet për të identifikuar më shumë viktima, për të ndjekur penalisht e dënuar trafikantët e për të përgatitur të trafikuarit, që të rihyjnë në shoqëri! Reforma në Drejtësi siguroi institucionet e profesionistët që të dërgojnë trafikantët pas hekurave, si dhe të kujdesen për viktimat.

Ambasadorja Kim theksoi se “Për Presidentin Biden dhe Sekretarin e Shtetit Blinken, korrupsioni, abuzimet me të drejtat e njeriut e të tjera krime destabilizuese përbëjnë kërcënime për sigurinë kombëtare të SHBA”-ve.

Urdhri Ekzekutiv i Presidentit Biden lidhur me Ballkanin Perëndimor e ngre mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si dhe luftën kundër trafikimit njerëzor, në një përparësi kombëtare për Shtetet e Bashkuara. Ne synojmë t’u kërkojmë llogari atyre që janë përgjegjës ose bashkëpunëtorë në abuzime serioze me të drejtat e njeriut në Ballkanin Perëndimor.

Trafikantët përfaqësojnë një kërcënim të pazakontë e të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara, ndaj do të ndalohen të hyjnë në SHBA.

Nëse keni një vizë amerikane apo një peticion për një vizë emigrimi, nuk do t’iu hyjnë më në punë sepse nëse trafikoni qenie njerëzore, qeveria e SHBA mund të ndërmarrë veprime kundër pronës suaj, nëse kalon përmes ose ka një lidhje me Shtetet e Bashkuara!

Në një Raport të vitit 2020 nga Zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimin theksohet se “Gjatë 15 viteve të fundit, numri i viktimave të diktuara është rritur”.
Shumë raste kalojnë pa u vënë re dhe pjesa më e madhe e viktimave janë gra e fëmijë!

25 milionë persona në të gjithë botën janë viktima të punës së detyruar dhe shfrytëzimit seksual.

Sipas ekspertëve, “trafikimi i qenieve njerëzore ushqehet nga pabarazia shoqërore dhe ekonomike, varfëria, papunësia, dhuna e konflikti, ndaj bashkëpunimi kundër këtyre dukurive vlerësohet si mjet kryesor në përmirësimin e gjendjes”.