Aktualitet

Ambicia e Kushnerit për investimin në Sazan, Rama: Ka ndërtuar në disa zona të UNESCO-s!

Kryeministri Edi Rama konfirmoi sot se Jared Kushner, sipërmarrës amerikan dhe dhëndri i ish-presidentit Trump shpalli këto ditë publikisht ambicien për të investuar në dy projekte të mëdha turistike në Shqipëri. Në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së, Rama u ndal te zhvillimi i turizmit në vend dhe interesin e investitorëve të huaj në këtë sektor.

Ata që deri dje na tregonin Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut si shembuj të paarritshëm për investimet në turizëm dhe investimet e huaja direkte, sot flasin për rrezikun që i kanoset Sazanit nga kthimi në një xhevahir të kurorës së artë të turizmit në Mesdhe.

Kryeministri u shpreh se “ata delirojnë për rrezikun e shkatërrimit të një parku kombëtar imagjinar, të një zone të mbrojtur, që e mbrojtur nuk ka qenë kurrë përveç se nga ushtarët e Enver Hoxhës që prisnin me dylbi zbarkimin e flotës së 7 amerikane në Shqipëri dhe zbulojnë pastaj me rregull 3-shi se si doli në dritë arsyeja e errët për ndryshimet në ligjin e zonave të mbrojtura”.

Hija e ish-presidentit amerikan dhe frika provinciale në fakt nga zemërimi i tij,- ju kujtohet si thoshin atëherë kur u zgjodh për mua, por ja ku jam këtu-, sot i pengon ata më gojështhururit që t’i bashkëngjiten këtyre zërave dhe lëshojnë rrufe akuza e shpifje në këtë rast për mua, djalin e paudhë që doli nga thesi i parave të Sorrosit, që kam hyrë në një megaaferë korruptive me djalin për shpirt të armikut më të betuar të Sorosit.

Shyqyr xhanëm se balta e hedhur nga ata që vijnë nga jashtë kufijve të Shqipërisë për të kontribuar në Shqipëri me fondacione apo investime e bën Shqipërinë të duket padrejtësisht qesharake në sytë e botës siç janë qesharake akuzat dhe shpifjet e tyre për ata.

Kryeministri theksoi se “e vërteta që ka rëndësi në këtë mes, nuk është se sa pa lidhje janë këto alarme, për rrezikun që i kanoset natyrës shqiptare nga ndryshimet e ligjit të zonave të mbrojtura apo nga zbarkimi në Sazan i firmës më prestigjoze të hotelerisë në botë, Aman Hotels&Resorts, e cila ka ndërtuar një duzinë strukturash në zona përrallore të UNESCO-s në Azi e në Lindjen e Mesme”.

E vërteta që ka rëndësi në këtë mes është se Shqipëria, kampione e turizmit në rajon në 2030, nuk është një slogan për të ushqyer iluzionin e një të nesërmeje të ndritur, po një projekt gjeopolitik dhe ekonomik, që po formësohet me plane  e masa konkrete, të cilat krijojnë hapësirën e mundur për këtë zhvillim historik. Sa për mbrojtjen e natyrës shqiptare, janë vetë njerëzit e zakonshëm të Shqipërisë, që e dinë më mirë se kushdo, se kush e mori në mbrojtje dhe kush e shkatërroi natyrën e vendit tonë, kush i ruan e i nxjerr në pah dita-ditës bukuritë e këtij vendi dhe kush e shëmtoi dhe mbuloi me plehra kudo që mundi trupin magjepsës të Shqipërisë.