Aktualitet Politikë

Amnistia sot në Kuvend, Gazment Bardhi: Asnjë i dënuar nga GJKKO-ja nuk përfiton!

Më në fund, politika gjeti dakordësinë për miratimin e Amnistisë Penale, çka pritet sot në seancë plenare. Gazment Bardhi deklaroi votën pro, ndërsa paraqiti tre propozime të Rithemelimit, duke përfshirë faljen e të gjithë protestuesve, si dhe përjashtimin nga amnistia të zyrtarëve të dënuar nga GJKKO-ja.

Tre amendamentet e Gazment Bardhit u përshëndetën nga maxhoranca. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja pohoi se këto kërkesa do të kenë dakordësinë e tyre. Nga Amnistia Penale pritet të përfitojnë rreth 700 të burgosur. Në një deklaratë nga oborri i Kuvendit të Shqipërisë, para nisjes së seancës plenare, kreu i grupit demokrat, Bardhi iu përgjigj akuzave të Lulzim Bashës se nga amnistia do të përfitojnë të dënuarit për korrupsion nga GJKKO-ja:

Lajmi mirë që Basha ishte zgjuar që në orën 08:00. Sot është një ditë e rëndësishme për Kuvendin, se kryeministri do të duhej të ishte për të dhënë llogari për dosjen Xibraka, por ka vendosur të dhunojë Kushtetutën.

Sa i takon amnistisë, në rastin konkret, grupi i PD-së është kujdesur që drafti që votohet këtë vit për amnistinë, të jetë i njëjtë për draftet e mëparshme edhe kur votohej nga Basha, me dy tre dallime që kemi prezantuar.

Asnjë anëtar i krimit nuk përfiton amnisti nga drafti, ndryshe nga sa ka ndodhur në vitin 2014, ku me votë të Bashës ka patur amnisti për anëtarët e krimit të organizuar. Asnjë zyrtar i dënuar nga GJKKO-ja nuk përfiton amnisti, së treti ndryshe nga sa është vepruar nga të gjitha herët e tjera, janë përfshirë të gjitha rastet e protestuesve të opozitës e shoqërisë civile që përfitojnë. Dua të theksoj se nuk ka asnjë zyrtar të korruptuar. Asnjë politikan nuk përfiton, asnjë zyrtar i lartë i korruptuar.

Ne do të propozojmë që të futet në rend dite. Për shkak të situatës në Kuvend ka tejkaluar çdo limit të shqyrtimit në seancë plenare.

Sa i takon çështjeve që janë në hetim, ka një ndalesë të qartë që çdo subjekt që deklaron pasurinë, nuk përfiton nga pushimi i ndjekjes penale apo pushimi i gjykimit. Jemi kujdesur që asnjë zyrtar i korruptuar të mos përfitojë. Kjo çështje është trajtuar që në mëngjes, që të shmangim vëmendjen nga Olsi Rama dhe Xibraka.

Ndërkohë, sot janë në rend dite për votim edhe 5 ligjet e seancës së 7 marsit. Votimi i tyre u anulua nga Sekretariati i Etikës pas kërkesës së Rithemelimit se nuk pati kuorum.