Aktualitet

Anëtarja e KPK-së Etleda Çiftja shpallet e pafajshme/GJKKO: Nuk ka kryer vepër penale!

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO, shpall të pafajshme Etleda Çiften. Anëtarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, akuzohej për “Deklarim të rremë pasurie” e “Falsifikim” kontratash. SPAK-u kërkoi një vit burg dhe pezullimin e saj nga detyra. Por, për GJKKO-në, nuk ka vepër penale.

Gjithashtu, neni 28 i Ligjit Nr. 9049, datë 10.4.2003 ka përcaktuar qartësisht se ILDKPKI-ja bën kallëzim penal në prokurori vetëm atëherë kur konstatohet se pasuritë që subjekti i deklarimit ka deklaruar apo që nuk ka deklaruar dhe që janë konstatuar gjatë hetimit administrativ janë krijuar në mënyrë të paligjshme, ku përshihen rastet e korrupsionit apo abuzimit me detyrën shtetërore. Ky qëllim i Ligjvënësit ka ekzistuar që me miratimit e Ligjit Nr. 7903, datë 08.03.1995 “Për deklarimin e pasurive të zgjedhura dhe të disa drejtuesve e punonjësve të shërbimit publik”, ku në nenin 9 të këtij ligji parashikohej se: “Organet e ngarkuara me gjykimin e kundërvajtjeve administrative sipas këtij ligji, krahas dënimit me gjobë vendosin edhe për pasurinë e fituar nga burime të paligjshme prej personave të përcaktuar në nenet 1 dhe 4 të këtij ligji. Kjo pasuri konfiskohet nga policia financiare dhe kalon në dobi të shtetit.

Etleda Çiftja deklaroi:

Shpresoj që ky vendim t’i japë fund. Unë asnjëherë nuk kam pasur probleme. SPAK ka bërë punën, ashtu e ka gjykuar, drejtësinë e jep gjykata jo prokuroria. Unë dua shumë që SPAK të vijojë punën dhe të jetë në objektivin e duhur për të cilin është krijuar.

Në fund të qershorit të këtij viti, Prokuroria e Posaçme njoftonte:

Në përfundim të hetimeve paraprake, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka vendosur të dërgojë për gjykim procedimin penal nr. 202 të vitit 2021 në ngarkim të të pandehurës:

Etleda Çiftja, e akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Falsifikimit të dokumentit”, në formën e përdorimit, parashikuar nga neni 186 paragrafi i parë i K.Penal dhe “Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nënpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a paragrafi i dytë i K.Penal.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar e provuar tej dyshimit të arsyeshëm se e pandehura Etleda Çiftja, në deklaratën me nr 14568 indeksi, datë dorëzimi 17.07.2017, ka kryer deklarim të rremë te pasurise, e konkretisht në lidhje me burimin e blerjes së apartamentit të banimit, te dy parcelave tokë arë me sip 1450 m2 dhe me sip 3440 m2, mënyrën e fitimit të pronësisë për dy sipërfaqet e tokave arë si dhe në lidhje me qëllimin e marrjes së një kredie pranë ish Banka Emporiki – Shqipëri sh.a.

Gjithashtu e pandehura Etleda Çiftja, ka dorëzuar pranë ILDKPKI, një kontratë me përmbajtje të falsifikuar, referuar çmimit të pasqyruar në të, provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm, pasi kjo kontratë nuk përputhet me atë të gjendur pranë arkivës së zyrës noteriale ku është përpiluar dhe pranë ASHK-së në momentin e regjistrimit të pasurisë për të cilën është lidhur kjo kontratë. Gjithashtu kjo kontratë përmban të dhëna të rreme edhe në lidhje me vetë veprimin e pasqyruar në të, pra shitje blerjen e parcelës tokë arë.