Bota

Angelina Jolie kërkon rinovim të Aktit për Dhunën Kundër Grave!

Angelina Jolie u rikthye në Uashington për të shprehur mbështetjen e saj për viktimat e abuzimit në familje duke i kërkuar Senatit Amerikan të rinovojë Aktin për Dhunën Kundër Grave (VAWA), për të cilin argumenton se “ofron mbrojtje themelore për të mbijetuarit e abuzimit”. Kështu raporton variety.com. Në fillim të fjalimit të saj, aktorja hollivudiane e njohur edhe si regjisore e aktiviste për çështjet humanitare, deklaroi:

Duke qëndruar këtu, në qendër të fuqisë së kombit tonë, unë mendoj për këdo që ndihet e pafuqishme përballë abuzuesit dhe nga një sistem që nuk arrin t’i mbrojë ato. Miratimi i këtij ligji është një nga votimet më të rëndësishme për senatorët amerikanë për këtë vit.

Angelina Jolie ishte me vajzën e saj, Zahara Marley Jolie-Pitt në Capitol Hill.

Vizita e saj e fundit në Uashington datonte muajin dhjetor të vitit 2021, kur u takua me ligjvënësit amerikanë, po në mbështetje të VAWA-s.
Aktorja ka qenë e përkushtuar në mbështetjen e saj për VAWA-n duke punuar me sponsorët dhe avokatët që e përfaqësojnë, për të shtuar dispozita për ligjin që trajton ndikimin te fëmijët në rastet e dhunës në familje.

Jolie gjithashtu ndau mbështetjen e saj për VAWA-n përmes llogarisë zyrtare në Instagram.

Jam mirënjohëse dhe e përulur që bashkohem me avokatë dhe ligjvënës të përkushtuar.

VAWA u miratua për herë të parë në vitin 1994, duke krijuar dispozita për ndjekjen penale në nivel federal të krimeve të dhunës në familje dhe sulmeve seksuale. Ligji gjithashtu ofronte mbështetje për qendrat e krizës së përdhunimeve, ato të strehimit dhe organizatat e tjera të komunitetit. Pas riautorizimit në vitin 2012, ligji skadoi në vitin 2018. Një koalicion dypartiak prezantoi një marrëveshje për të rinovuar VAWA-n.