Aktualitet

Ankimimet për zgjedhjet, Basha sulmon KAS-in!

Në vijim të takimeve me demokratë pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit të fituara nga socialistët, Lulzim Basha u ndal sot në Fier nga ku përsëriti akuzat se “vullneti i qytetarëve më 25 prill u tjetërsua”.

U tjetërsua përmes përdorimit masiv të makinerisë shtetërore në kundërshtim flagrant me ligjin, u tjetërsua përmes vjedhjes dhe përdorimit si në kohët e sigurimit të shtetit të dhënave personale të qytetarëve për t’i intimiduar ata. U tjetërsua duke e nxjerr zbuluar atë që e di gjithë bota, e di gjithë Europa, e di Amerika, të cilët janë shprehur qartë për nevojën për ndryshim. Binomin Rama-Krim, regjimin Rama-Doshi i cili kësaj radhe ka lënë gjurmët e gishtave kudo. Jo vetëm në Shkodër, por kudo, nga Vermoshi në Konispol, edhe këtu në Fier!

Edhe në Fier, Basha përsëriti qëndrimin se “beteja do të vazhdojë!”.

Beteja do të vazhdojë pikërisht për ata të cilët e nisëm, jo për karrigen time, as të Enkelejdit e as të kandidatëve tanë të tjerë, jo për poste drejtorësh e tendera, apo për të hapur dyert e doganave  për kontrabandë apo  për të bërë aleancë me krimin. Jo, jo! Ky degradim, kjo dekadencë, ky degjenerim është për fatin  e keq të Shqipërisë sot sëmundja që ka mbërthyer për vdekje kundërshtarin tonë politik. Beteja jonë do të vazhdojë për shqiptarët, beteja jonë do të vazhdojë për  fierakët, beteja jonë do të vazhdojë për prindërit që duan t’i rrisin e t’i mbajnë fëmijët këtu.

Basha shtoi se shteti përdori në Fier gjithë makinerinë e tij për të tjetërsuar vullnetin, për të vjedhur votën!

Edhe një herë nuk duhet të kemi asnjë iluzion, është i njëjti KAS sot, ai që ishte dje dhe pardje. Ishte KAS-i që hoqi emrat e kandidatëve nga fleta e votimit siç urdhëroi Edi Rama, i njëjti KAS që votoi për të mos i kërkuar prova institucioneve shtetërore. Por detyra jonë është të konsumojmë çdo hap dhe betejën ta shtrijmë në çdo fushë, ta shtrijmë në çdo rrugë, në çdo qytet e në çdo fshat. Fundi i kësaj beteje do të jetë fitorja për arsyen e thjeshtë sepse ne nuk do ta humbim asetin më të vyer, më të çmuar që mund të ketë një forcë politike që është ai momenti magjik kur njerëzit e besojnë që betejën nuk po e bëjmë për veten tonë por po e bëjmë për ta!