Aktualitet

Apeli i GJKKO-së cakton masë të dytë sigurie për Alqi Bllakon!

Apeli i GJKKO pranoi kërkesën e SPAK-ut, për të caktuar një masë të dytë “Arresti me burg” për Alqi Bllakon, për inceneratorin e Elbasanit. Ish-deputeti socialist i arrestuar në mars të këtij viti, në kuadër të hetimeve për inceneratorin e Fierit, mësohet të jetë marrë i pandehur edhe për rastin e atij të Elbasanit, nën akuzën “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim.  Prokurorët zbuluan disa komunikime të drejtpërdrejta që Bllako ka patur me ata që më vonë do të bëheshin drejtuesit e kompanisë koncensionare, e cila do të merrte përsipër ndërtimin e administrimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve në Elbasan. Më pas, edhe në Fier.

Si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, i mbante në dijeni të procedurave që po ndiqeshin për rastin e Elbasanit, më përpara se të vendosej ndërtimi i impiantit, kur Këshilli Bashkiak shpalli gjendjen e emergjencës mjedisore, çka i hapi rrugë inceneratorit. Nga komunikimet elektronike, mësohet se falë Bllakos janë njohur edhe me draft-kontratën koncensionare. Gjithashtu, komunikimet mes palëve ishin edhe për çështje private, fakt që prokurorët i shtyu në përfundimin se kishin njohje mes tyre.

Arrestimet e para për inceneratorin e Elbasanit u kryen në dhjetor të vitit të shkuar kur u prangos ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ndërsa më pas u përfshinë zyrtarë lokalë, anëtarë të komisionit që miratoi dhënien me koncension. Në mars, hetimet u shtrinë dhe për inceneratorin e Fierit, me arrestimin e ish deputetit Bllako e të tjerë zyrtarëve lokalë dhe drejtuesish të impiantit, ndërsa një akuzë e dytë u ngrit ndaj ish-ministrit Koka edhe për këtë rast.

Në mes të muajit, SPAK-u lëshoi 11 urdhëra arresti që lidhen po me inceneratorin e Fierit, duke përfshirë ish-administratorë të kompanisë e drejtues shoqërish private. Dyshohet të kenë kryer manovra financiare fiktive me vlera disa miliona euro. Vetëm pesë u arrestuan, të tjerët u shpallën në kërkim, mes tyre edhe dy ish-administratorë të inceneratorit të Tiranës, të dyshuar se janë përfshirë në pagesën fiktive të babait të ish-deputetit socialist Alqi Bllako, i cili rezultonte të kishte vetëm emrin si i punësuar në këtë kompani.