Bota

Apeli i OKB: Rihapni portet e Ukrainës për të shmangur urinë botërore

Programi Botëror i Ushqimit i Kombeve të Bashkuara, FAO ka bërë thirrje për rihapjen e porteve të Ukrainës për të shmangur kërcënimin e afërt të urisë.

“Portet në zonën e Odesës, në Ukrainën jugore, duhet të rihapen urgjentisht për të parandaluar daljen jashtë kontrollit të krizës globale të urisë”, thuhet në faqen e internetit të OKB-sw. “Depozitat e grurit të Ukrainës janë plot. Por portet në Detin e Zi janë të bllokuara dhe anijet nuk mund të lëvizin tha FAO.

Aktualisht raportohet se miliona vetë në Ukrainë, shumica fëmijë janë të bllokuar dhe po vuajnë mungesë ekstrem të ushqimit, por edhe të ujit. Ndërkohë Lufta ruse në Ukrainë ka sjellë panik në mbarë botën për shkak se dy shtetet në konflikt janë hambari kryesor i furnizimit me grurë anëmbanë globit.

Ndërkaq, ende nuk dihet kur mund të jetë fundit i luftës së nisur më 24 shkurt. Disa raketa kanë goditur sot qytetin-port të Odesës në jug të Ukrainës, sipas zëdhënësit të administratës rajonale, Serhiy Bratchuk.

Bratchuk u shpreh se goditën erdhën pasi objektiva në rajonin përreth Odesës ishin goditur nga katër raketa më parë gjatë ditës.

Gjithashtu sipas mediave të huaja, raketat ruse kanë goditur edhe dy vendndodhje afër kufirit rus në rajonin verior të Ukrainës, Sumy.

Sipas guvernatorit lokal Dmytro Zhyvytskyi, një roje kufitare u plagos nga sulmet në komunat Myropilske dhe Khotin.

Pas avancimit në një pjesë të rajonit Sumy në fillim të pushtimit të Ukrainës, forcat ruse u tërhoqën plotësisht nga zona në fillim të prillit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, po përpiqet të përdredhë historinë në mes të përkujtimit të fundit të Luftës së Dytë Botërore për të justifikuar luftën e tij të paprovokuar dhe brutale kundër Ukrainës.

“Ndërsa lufta shpërthen përsëri në Evropë, ne duhet të rrisim vendosmërinë tonë për t’i rezistuar atyre që tani kërkojnë të manipulojnë kujtesën historike në mënyrë që të avancojnë ambiciet e tyre,” tha Blinken në një deklaratë për 77-vjetorin e fitores mbi nazistët.

“Ndërsa përkujtojmë fundin e Luftës së Dytë Botërore në Evropë, ne kemi një detyrë të shenjtë ndaj të rënëve: të flasim të vërtetën për të kaluarën dhe të mbështesim të gjithë ata në kohën tonë që ngrihen për lirinë”, tha Blinkeni.