Sport

Argjentinë-Kroaci/Pas Neymarit e Ronaldos, kush e ka radhën: Messi apo Modriç?!

Fillimisht lotët e Neymarit, më pas të Cristiano Ronaldos. A mund të jetë Lionel Messi i radhës? 35-vjeçari argjentinas e udhëhoqi skuadrën e tij deri në gjysmëfinale, në të njëjtën mënyrë që Diego Armando Maradona, njeriu me të cilin shpesh krahasohet e priu vendin e Amerikës së Jugut drejt titullit të tij të dytë e të fundit botëror, në vitin 1986.

Në rrugën e Argjentinës, tani qëndron Kroacia, vend me popullsi prej katër milion banorësh dhe që po vendoset si kundërshtari i saj më kokëfortë e më i qëndrueshëm, ndërsa mburret me një nga lojtarët më të hijshëm të futbollit, Luka Modriç. Ekipet do të takohen në stadiumin “Lusail”, gjithashtu shtëpia e finales së 18 dhjetorit, në një ndeshje mes dy nënkampionëve të fundit të turneut, Argjentinës më 2014-ën e Kroacisë më 2018-ën. Mund të pritej që Argjentina të ishte në këtë pozicion.

Messi

Skuadra shkoi në Kupën e Botës si kampione e Kupës së Amerikës, me një seri prej 36 ndeshjesh e pamposhtur dhe me Messin të rikthyer në formë sublime për Paris Saint-Germain. Kishte shumë më pak zhurmë rreth kroatëve, megjithatë ata vazhdojnë të befasojnë siç bënë katër vjet më parë kur vrapimi i tyre në finale përfshinte një fitore 3-0 kundër Argjentinës në fazën e grupeve.

Gjithashtu arritën në gjysmëfinale të Kupës së Botës më 1998-ën. Të dyja skuadrat kanë kaluar periudha të vështira. Momenti më i errët i Argjentinës erdhi në fillimin e turneut, pas humbjes 2-1 nga Arabia Saudite në atë që do të bëhej një nga tronditjet më të mëdha të Kupës së Botës.

E frymëzuar nga Messi, Argjentina fitoi dy ndeshjet e fundit në grup, mposhti Australinë 2-1 në raundin e 16-të e më pas u deshën penalltitë për të mposhtur Holandën në një “finale të egër”. Messi ka katër gola në turneun në Katar, duke e lënë atë vetëm një gol pas golashënuesit më të mirë Kylian Mbappé. Padyshim, ata janë dy lojtarët e shquar në një Kupë Bote e cila ka parë që shumë lojtarë të tjerë të mirë të kenë përmbushur reputacionin e tyre fisnik.

Modriç

Ndërkohë, Modriç mund të mos ketë shënuar gol. Ai nuk pati as edhe një asist. Por, për Kroacinë nuk duhet nënvlerësuar rëndësia e magjistarit të vogël, i cili i bën gjërat të shkojnë deri në mesfushë e arrin të kontrollojë një skuadër që lufton deri në minutën e fundit. Në vitin 2018, të gjitha ndeshjet me eliminim direkt të Kroacisë shkuan në kohë shtesë, para se të humbnin nga Franca në finale dhe e njëjta gjë po ndodh në Katar, me fitoret e ndeshjeve kundër Japonisë në raundin e 1/16-ave e Brazilit në çerekfinale.

Kroacia dukej më komode kundër Brazilit se kundër Japonisë, çka tregon se skuadra mund të jetë më e lumtur të kërkojë presion e të zgjedhë momentet e saj për të avancuar, në vend që të kontrollojë ndeshjet e të jetë më e ndjeshme ndaj kundërsulmeve. Markimi i Messit do të jetë çelësi i fitores.