Bota

Arrestime në rrugët e Londrës kundër përplasjeve në protestat pro-palestineze!

Siç edhe paralajmëruan, më shumë se 300 mijë demonstrues pro-palestinezë marshuan në qendër të kryeqytetit britanik, Londër një ditë më parë. Po ashtu, policia arrestoi rreth 100 kundër-protestues të ekstremit të djathtë, në përpjekje për të ndaluar një përplasje me palën tjetër.

Përleshjet shpërthyen mes policisë dhe grupeve të ekstremit të djathtë të mbledhur për të protestuar kundër demonstratës, e cila u përcaktua të zhvillohej në Ditën e Armëpushimit dhe që shënon përvjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Britania e Madhe përkujton të rënët në luftë.

Kryeministri britanik, Rishi Sunak e dënoi dhunën pranë memorialit të luftës “Cenotaph” dhe gjithashtu foli me tone kritike për “simpatizantët e Hamasit”, të cilët iu bashkuan tubimit më të madh, “duke kënduar këngë antisemitike dhe duke tundur pankarta e veshje pro-Hamasit në protestën e djeshme”.

Tensionet ishin rritur që përpara marshimit të së shtunës, më i madhi në një seri tubimesh në mbështetje të palestinezëve me thirrjet për një armëpushim urgjent në Rripin e Gazës. Ministrja e Brendshme, Suella Braverman, i ka cilësuar tubimet si “marshime urrejtjeje”, të udhëhequra nga “turma”.

Policia Metropolitane e Londrës i kishte refuzuar kërkesat e dikasterit të Braverman-it për të anuluar lejen e tubimit, me argumentin se nuk u mblodhën të dhëna se do të kishte dhunë serioze. Ky vendim ka ndikuar në tendosjen e marrëdhënieve me qeverinë. Përsëri, kryeministri Sunak bëri thirrje për një qëndrim edhe më të ashpër.

Të gjitha veprimet kriminale duhet të përballen me forcën e plotë dhe të shpejtë të ligjit! Kjo është ajo që i thashë Komisionerit të Policisë Metropolitane që të mërkurën. Ata mbajnë përgjegjësi për këtë dhe kjo është ajo që pres!

Policia njoftoi se në rrugët qendrore të Londrës pati disa qindra kundër-protestues dhe përleshjet shpërthyen në afërsi të memorialit të luftës.

Në një postim në mediat sociale, ndihmës komisioneri, Matt Twist, tha se dukej se kundërprotestuesit “synonin vetëm konfrontim dhe akte dhune”.

Kryetari i Bashkisë së Londrës, Sadiq Khan, si dhe Ministri i Parë i Skocisë, Humza Yousaf, akuzuan sekretaren Braverman se ndikoi në ndezjen e tensioneve dhe në nxitjen e të djathtës ekstreme, duke akuzuar para tubimit policinë, për favorizimin e “turmave pro-palestineze”.