Aktualitet

Arrestohet inspektori i Shëndetësisë, i bënte presion bizneseve dhe kërkonte ryshfet

Me urdhër të SPAK është arrestuar një inspektor pranë Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor pasi i ushtronte presion bizneseve në Tiranë në rastet e parregullsive duke u marrë para. Inspektori M.M, u arrestua në kushtet e flagrancës ushtronte presion ndaj bizneseve që nuk kishin licensimin e duhur për vijimin e aktivitetit, dhe se gjoba në këto raste shkonte deri në një milion lekë, si dhe me mbylljen e biznesit deri në likuidimin e kësaj mase administrative.

Ky inspektor u thoshte subjekteve tregtarë se një problem i tillë mund të zgjidhej kundrejt përfitimit të parregullt, vetëm pas marrjes prej tij shumës monetare pesëqind mijë lekë, por një pjesë e kësaj shume monetare duhej të paguhej brenda 24 orëve, përndryshe do vijohej me procedurat administrative të aplikimit të gjobës dhe mbylljes së aktivitetit.

Për këtë rast Prokuroria e Posaçme ka regjistruar procedimin për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Hetimet për këtë procedim penal janë realizuar në bashkëpunim me strukturat e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe Policisë së Shtetit.

Gjatë arrestimit në flagrancë inspektori M.M i janë sekuestruar edhe 200.000 (dyqindë mijë) lekësh, e përftuar në mënyrë të paligjshme.