Aktualitet

Arrestohet për korrupsion një gjyqtare e Gjykatës Elbasan!

Akuzat për korrupsion, arrestohen gjyqtarja e Elbasanit, Zamira Vyshkja dhe avokati Ilir Pashaj. Nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme, SPAK rezulton se kërkuan 400 mijë lekë për uljen e dënimit me 6 muaj burg ndaj të dënuarit Xhulio Musaj. Së bashku me ta u prangosën edhe tre familjarë që do të jepnin paratë. Për gjykatësen, GJKKO caktoi masën e sigurimit “Arrest shtëpie”, ndërsa “Arrest me burg” u vendos për avokatin Pashaj dhe dy prej tre familjarëve të Musajt. Një tjetër u la në arrest shtëpie.

Njoftimi zyrtar i SPAK-ut:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”, për shtetasen Z. V., me detyrë gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Elbasan.

Eshtë ekzekutuar masa e sigurimit “Arrest në shtëpi” për shtetasin I. P., me detyrë avokat mbrojtës, si dhe për shtetasit T.R. dhe Xh.M. Po ashtu është ekzekutuar masa e sigurimit “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit Procedurës Penale edhe për shtetasin A.T. SPAK ka kryer hetime për veprat penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319 dhe 25 të Kodit Penal, “Korrupsionit pasiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, parashikuar nga nenet 319/ç të Kodit Penal, si dhe “Moskallëzimi i krimit”, parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.

Fakti penal i hetuar, lidhet me një rast të korrupsionit aktiv/pasiv në sistemin e drejtësisë (në qytetin e Elbasanit), ku persona të interesuar/familjarë të një shtetasi të arrestuar në bashkëpunim me avokatin mbrojtës, i kanë ofruar gjyqtarit të çështjes një shumë monetare me qëllim favorizim  në caktimin e masës së dënimit.

Pas analizimit të provave të grumbulluara në kuadër të këtij procedimi penal nga Prokuroria e Posaçme, i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesa për caktimin e masave të sigurimit.