Aktualitet

Atentat në Vlorë me një viktimë/Policia:Jemi në ndjekje të autorëve!

Vlora u trondit nga një atentat, me një person të vrarë në orët e vona të mbrëmjes. Viktima u identifikua si Leartiad Lekaj, gjeneralitet i ndryshuar nga Laert Keka.

Ngjarja raportohet në lagjen 28 Nëntori të qytetit bregdetar jugor.  41-vjecari po udhëtonte me motor, në kohën kur mësohet se iu vu pas një makinë tip “Audi A6” dhe drejt tij kanë qëlluar me armë zjarri.

Mësohet se Keka e la motorin në rrugë dhe u largua me shpejtësi duke vrapuar. Por, autorët kanë vazhduar ta ndjekin në këmbë dhe përballë Kishës Ortodokse, në afërsi të një dyqani, qëlluan me disa plumba drejt tij, duke e lënë të vdekur në vend. 28 gëzhoja u gjetën në vendngjarje.

Disa minuta pas ngjarjes, një automjet me targa italiane e me një kallashnikov brenda, u gjet i djegur pranë ish-Fushës së Aviacionit dhe dyshohet se i përket autorëve.

Viktima nuk rezulton të jetë një emër i panjohur për drejtësinë. Në vitin 2005, ai është akuzuar për një grabitje me pasojë vdekjen e një personi të kryer në bashkëpunim me shtetasin Fjodor Mezyraj. Dyshimet kryesore janë në pistën e vrasjes për hakmarrje. Grupi hetimor vazhdon punën për të hedhur dritë mbi rrethanat, si dhe për identifikimin e kapjen e autorëve të përfshirë.

Nëndrejtori për Rendin dhe Sigurinë, kryekomisari Gazmend Shehu, në një prononcim për median nga vendngjarja tha se janë ngritur pika kontrolli për arrestimin e autorëve të mundshëm.