Aktualitet

Atentat me kallashnikov një avokati në Memaliaj, dyshimet e para!

Avokati Andrea Zotaj, pjesë e Dhomës së Avokatisë në Gjirokastër, i ka shpëtuar mrekullisht një atentati në orët e mbrëmjes se djeshme. Ngjarja ndodhi në rrugën e vjetër të fshatit Qesarat në Memaliaj, ndërsa Zotaj dhe nipi i tij, lëviznin me makinë.

Ishte shtetasi Fatos Lamaj 36 vjeç nga fshati Ane Vjosë në Memaliaj, i cili iu kishte zënë pritë. Sipas dëshmisë së avokatit, Lamaj synonte që ta ekzekutonte, por për fat të mirë iu shpëtoi plumbave, edhe për shkak të një manovre të automjetit që drejtonte.

Avokati Zotaj është shprehur se ngjarja ka qenë për shkak të detyrës se siç tregoi, dy netë më parë, agresori ishte kapur nga policia e pasi u mbajt një ditë në paraburgim, u lirua. Shkak u bë një konflikt me një të afërmin e tij.

Me daljen nga paraburgimi, Fatos Lamaj rrëmbeu automatikun duke i zënë pritë avokatit, i cili nxitoi ta denonconte në Stacionin Policor për ngjarjen. Më pas, grupi hetimor shkoi në vendngjarje e konfirmoi pretendimet e avokatit lidhur me atentatin pasi gjeti gëzhojat e dala nga kallashnikovi. Uniormat blu prangosën autorin e dyshuar.