Rajoni

Athina portokalli, efekti i pluhurit të Saharasë!

Një mjegull e madhe pluhuri portokalli po vazhdon që të zbresë në kryeqytetin grek Athinë ndërsa retë e këtij pluhuri kanë ardhur nga Shkretëtira e Saharasë. Sipas ekspertëve, ky është një nga episodet më të këqij që ka goditur vendin fqinj që nga viti 2018.

Greqia ishte prekur nga një re e ngjashme në fund të muajit mars e në fillim të prillit, re, e cila gjithashtu mbuloi zona të Zvicrës e të Francës jugore. Qielli parashikohet të kthjellohet më vonë gjatë ditës, siç thotë Shërbimi Meteorologjik i Greqisë.

Cilësia e ajrit është përkeqësuar në shumë zona të vendit dhe mëngjesin e sotëm, Akropoli në Athinë nuk ishte më i dukshëm për shkak të pluhurit. Reja ka shkuar në veri, duke u zhvendosur deri në Selanik. Qytetarëve grekë me probleme të frymëmarrjes iu kërkua të kufizojnë kohën që kalojnë jashtë, si dhe të mbajnë maska ​​mbrojtëse e të shmangin ushtrimet fizike derisa retë e pluhurit të pastrohen.

Saharaja lëshon 60 deri në 200 milion tonë pluhur mineral në vit. Shumica e pluhurit zbret shpejt në Tokë, por disa nga grimcat e vogla mund të përshkojnë distanca të mëdha, ndonjëherë duke arritur në Europë.

Kryesisht në Greqinë jugore, atmosfera është bërë mbytëse për shkak të kombinimit të pluhurit dhe temperaturave të larta. Meteorologu Kostas Lagouvardos krahasoi pamjen nga një stacion meteorologjik në planetin Mars.

Shërbimi zjarrfikës raportoi dje 25 zjarre në 24 orët e fundit. Një zjarr shpërtheu pranë një baze detare në ishullin e Kretës e ku temperaturat u rritën mbi 30 gradë Celcius dhe shtëpitë e një kopsht fëmijësh duhej të evakuoheshin.

Më 27 mars edhe Shqipëria u zgjua e mbuluar nga një re pluhuri që nuk ishte mjegull e zakonshme, por pluhuri afrikan. Specialistja e Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, Anira Gjoni, informonte:

Vendi ynë ndodhet nën ndikimin e masave të ngrohta me origjinë nga veriu i Afrikës e sjellin me vete edhe pluhurin e Saharasë. Eshtë një fenomen që vendin tonë e ka prekur disa herë. Eshtë pothuajse gjithë Mesdheu i prekur, duke përjashtuar Gadishullin Iberik. Përqendrimi i grimcave të pluhurit në ajër ka qenë më i lartë dhe kjo e ka bërë shqetësuese për qytetarët pasi është e dëmshme për rrugët e frymëmarrjes, sjell problematika sa i përket shikimit horizontal e vertikal, si për transportin rrugor, ashtu dhe atë ajror.