Aktualitet

Banorët e pallatit të djegur në Tiranë kaluan natën te të afërm e në hotele/Apel për gjetjen e përgjegjësve e rimbursim!

Zjarri i djeshëm te pallati 10 katësh në rrugën “Sali Butka” në Tiranë, katër apartamente të shkrumbuara, ndërsa 12 të tjerë pësuan dëmtime që i kanë bërë të pabanueshme. Banorët presin ekspertët për verifikimin e dëmeve, si dhe për të mësuar shkaqet që çuan në shpërthimin e flakëve.  Fatmirësisht nuk pati të lënduar edhe pse zjarri u përhap në të gjithë godinën.  Banorët kaluan natën te të afërmit e në hotele. Ata bëjnë thirrje për gjetjen e fajtorëve e kërkojnë të rimbursohen.

Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti njoftoi se depozitoi një kërkesë në bashki për të marrë një dosje të plotë teknike lidhur me projektin e ndërtimit të pallatit.

Në një deklaratë për shtyp para bashkisë, Teliti kërkoi të dijë sa e sigurt ka qenë godina, cilat janë masat e ndërmarra kundër zjarrit, a është respektuar apo jo leja e ndërtimit dhe përse bashkia nuk ka furnizuar këto godina me hidrantët zjarrfikës.

Për të gjitha këto dhe shumë të tjera, ne i kemi kërkuar në shkresën zyrtare, të cilën e kam depozituar këtu në cilësinë e nënkryetarit të Këshillit Bashkiak dhe shpresoj që brenda 10 ditësh të marrim përgjigje nga Erion Veliaj dhe stafi i tij.

Fatmirësisht, dje nuk pati humbje jete, por është tejet shqetësuese ajo që ndodhi kur apartamente të tëra u shkrumbuan, gjë e cila sot ka vënë në dyshim edhe vetë ekzistencën, qëndrueshmërinë teknike të godinës së banimit.

Gjithashtu, dje kemi qenë dëshmitarë se autobotet e zjarrfikësve mbaronin ujin, lëviznin nëpër rrugët e Tiranës për t’u furnizuar me ujë dhe kjo ka rritur më tej kohën për fikjen e zjarreve, duke shtuar akoma më shumë dëmet materiale.

Kjo është e papranueshme dhe jam këtu për të kërkuar informacionin e plotë për të zbardhur të vërtetën.

Zjarri ra në katin e fundit të pallatit në zonën e ish-Parkut të Autobusëve. Fillimisht, flakët për shkaqe të panjohura përfshinë ballkonin e një apartamenti dhe u shua me ndërhyrjen e menjëhershme të zjarrfikësve.