Aktualitet Politikë

Bardhi padi shtesë në SPAK për çështjen e McGonigal!

Deputeti Gazment Bardhi ka depozituar në SPAK, një shtesë padie lidhur me ish-agjentin e FBI-së Charles Mc. Gonigal, i dënuar “për shkelje të rëndë të besimit të publikut”, lidhur me 225 mijë dollarët që mori nga shqiptaro-amerikani Agron Neza dhe mosdeklarimin e kontakteve me zyrtarë të Shqipërisë, përfshirë me kryeministrin Edi Rama.

Bardhi në cilësinë e tij si kallëzues, i është drejtuar SPAK me një informacion shtesë, shoqëruar me dokumente të reja, lidhur me këtë aferë të rëndë, duke kërkuar hetimin e Edi Ramës dhe mbajtjen e tij përgjegjës për aferën korruptive.

‘Në vijim të komunikimeve të mëparshme lidhur me kallëzimin penal nr. 14, i vitit 2023, për të cilin është regjistruar procedimi penal lidhur me çështjen Edi Rama – McGonigal, sot Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, në cilësinë e tij si kallëzues, i është drejtuar SPAK me një informacion shtesë, shoqëruar me dokumente të reja, lidhur me këtë aferë të rëndë, duke kërkuar hetimin e Edi Ramës dhe mbajtjen e tij përgjegjës për aferën korruptive.

Në 20 Shtator 2023, Charles McGonigal pranoi fajësinë lidhur me të gjitha akt-akuzat, të cilat përfshinin, ndër të tjera, vizitat e tij në Shqipëri, takimet me kryeministrin Edi Rama dhe “mbajtjen e një marrëdhënie të vazhdueshme me të”. Në të dhënat shtesë të dorëzuara në SPAK dokumentohet se McGonigal jo vetëm nuk deklaroi marrjen e parave, por avancoi interesat e biznesit dhe gënjeu FBI-në për aktivitetin e tyre të përbashkët me Edi Ramën, duke fshehur kështu faktin që ai kishte konflikt interesi dhe interesa financiare private.

Gjykata Federale e Ëashington-it dënoi ish-zyrtarin e FBI-së Charles McGonigal, për “shkelje të rëndë të besimit të publikut”, lidhur me 225 mijë dollarët që mori dhe mosdeklarimin e kontakteve me zyrtarë të Shqipërisë, përfshirë kryeministrin Edi Rama. Në vendimin e drejtësisë amerikane thuhet shprehimisht se fakti që McGonigal kishte marrë para nga dikush që e kishte prezantuar me zyrtarë të huaj në Shqipëri “është një shkelje shumë serioze”.

Nga faktet dhe dokumentet e dorëzuara sot në SPAK del qartë se tashmë organet e drejtësisë amerikane, Prokuroria dhe Gjykata, kanë provuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se shtetasi Edi Rama, me detyrë kryeministër i Shqipërisë, u përfshi në një marrëdhënie të paligjshme dhe korruptive me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, Charles McGonigal, duke pasur për qëllim që Edi Rama të dëmtonte partinë e tij kundërshtare, Partinë Demokratike të Shqipërisë, dhe shtetasi Charles McGonigal të realizonte përfitime monetare dhe favorizime shtetërore për shërbimet e ofruara kryeministrit shqiptar.’- njofton Bardhi.

Më 25 shtator të vitit të kaluar Gazment Bardhi, bëri një kërkesë në SPAK për informacion në lidhje me hetimet për çështjen e ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, Charles McGonigal dhe lidhjeve me kryeministrin Edi Rama. Bardhi risolli në vëmendje kallëzimin penal të kryer nga PD në janar të këtij viti, ku akuzonte kreun e qeverisë Edi Ramën lidhur me aferën McGonigal.

Sipas Bardhit, Rama ka kryer 4 veprave penale: 1. Korrupsion aktiv i nëpunësve të huaj publikë; 2. Deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë; 3. Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale; 4. Grup i strukturuar kriminal dhe kryerja e veprës penale nga grupi i strukturuar kriminal.