Bota

Bashkëshortja e Navalnit, Yulia: Putin, përgjegjës për vdekjen e tij!

Gruaja e Alexei Navalny-t, Yulia Borisovna ishte në Gjermani kur u informua për vdekjen në një burg rus të bashkëshortit, i njohur si kryeopozitar dhe kritiku numër një i Kremlinit. Borisovna foli nga podiumi i Konferencës së Sigurisë së Mynihut, duke thënë ndër të tjera se nëse lajmi për vdekjen e të shoqit ishte i vërtetë, presidenti rus Vladimir Putin dhe të tjerë zyrtarë rusë duhet që ta dinë se “do të ndëshkohen” për atë që kanë bërë.

Fjalët e Julia Borisovna-s:

Nuk e di nëse duhet ta besoj apo jo këtë lajm të tmerrshëm pasi njoftimi për vdekjen ka ardhur vetëm nga burime shtetërore të Rusisë. Ne nuk mund që t’i besojmë Putinit dhe qeverisë së tij sepse ata gënjejnë gjatë gjithë kohës. Por, nëse ky lajm është i vërtetë, Putin dhe i gjithë stafi, të gjithë njerëzit e tij do të paguajnë për atë që kanë bërë. Ata do të sillen para drejtësisë e kjo gjë do të ndodhë së shpejti!

Të gjithë njerëzit e botës duhet që të luftojnë kundër kësaj të keqeje, këtij regjimi të tmerrshëm në Rusi dhe Putini duhet të mbahet personalisht përgjegjës për të gjitha mizoritë e kryera në vendin tonë në vitet e fundit.

Yulia nënvizoi se vendosi të qëndronte në Mynih e të fliste përpara se të kthehej te fëmijët e saj, pasi siç theksoi: “kështu do të kishte vepruar edhe Alexei”.

Familja e disidentit rus

Një i krishterë ortodoks rus, Alexei Navalny ka qenë i martuar me Yulian, e njohur edhe me mbiemrin Navalnaya. Dy fëmijët e tyre janë Daria, një studente në Universitetin e Stanfordit e Zakhar. Gruaja e tij, shpesh është cilësuar në media si “Zonja e Parë” e opozitës ruse dhe si një kandidate e mundshme për të drejtuar opozitën e Fondacionin Kundër Korrupsionit (FBK), presidencën e vendit dhe Dumën e Shtetit pas burgosjes së bashkëshortit.

Në dhjetor të vitit 2021, vajza e tij Daria u paraqit për të tërhequr në emër të Alexei-t Çmimin Saharov për Lirinë e Mendimit. Ky vlerësim iu akordua disidentit rus nga Parlamenti Europian dhe iu dorëzua nga presidenti i atëhershëm i parlamentit, David Sassoli.