Aktualitet

Bashkia Tiranë, Erion Veliaj kryeson bindshëm përballë Belind Këlliçit!

Erion Veliaj ecën i sigurt drejt mandatit të tretë në krye të Bashkisë Tiranë, më e madhja në vendin tonë. Kandidati socialist udhëheq bindshëm me 52.86% të votave duke thelluar diferencën me Belind Këlliçin, ndjekësin më të afërt mes pesë rivalëve të tjerë. Kandidati i Koalicionit “Bashkë Fitojmë” është në nivelin 36.01%. Thënë ndryshe, ndërsa vijon numërimi në Bashkinë Tiranë, Erion Veliaj deri tani ka 48 mijë e 168 vota, ndërsa Belind Këlliçi 32 mijë e 816.

Më pas vijnë me radhë Arlind Qori i Lëvizjes Bashkë me 4 mijë e 528 vota apo në përqindje 4.97, Roland Bejko i Partisë Demokratike me 4 mijë e 107 ose 4.51%, Marko Dajti i Frontit të Majtë ka 765 vota deri më tani dhe Lajla Përnaska, PDIU, 744.

Në Bashkinë Tiranë janë gjithsej 941 qendra votimi dhe deri tani janë numëruar rreth 300 prej tyre.

Në Qarkun Tiranë, përveçse për bashkinë e kryeqytetit vijon numërimi në bashkitë Kavajë e Rrogozhinë ku në Kavajë kryeson kandidati socialist, Redian Krali, ndërsa në Rrogozhinë, Shkëlqim Hoxha i Koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

Tashmë, numërimi vijon në 54 bashki, në 47 prej tyre kryesojnë kandidatët e Partisë Socialiste. Në shtatë të tjera të Koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Deri tani, procesi ka përfunduar për Elbasanin, Kamzën, Vorën, Pustecin, Delvinën e Pukën. Në gjashtë të parat fituan kandidatët e PS-së, ndërsa në Pukë, i Koalicionit “Bashkë Fitojmë”.