Aktualitet

Berisha ankimon vendimin e GJKKO-së, Gjokutaj: Vendimi është nul!

Avokatët e Sali Berishës depozituan sot ankimimin për vendimin e Gjykatës së Posaçme.

Avokati i ish-kryeministrit, Genc Gjokutaj ka thënë për Top Channel se “vendimi është nul“.

Gjykata e Posaçme konfirmoi katër ditë më parë masën ‘detyrim paraqitje’ dhe ‘bllokim të përdorimit të pasaportës’ për ish-kryeministrin Sali Berisha. Sipas vendimit, Berisha duhet të paraqitet në gjykatë të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, në orën 10:00.

Ish-kryeministri refuzoi të paraqitej në gjyq, me argumentin se nuk mund të shkelte Kushtetutën, duke iu referuar imunitetit që ka si deputet i Shqipërisë.

Berisha dyshohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim. Sipas hetimeve të SPAK të dosjes “Partizani”, Berisha ka favorizuar dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezin, për privatizimin e ish-Kompleksit Sportiv.

Për Malltezin, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar la në fuqi masën “arrest me burg”, ndërsa për ndërtuesin Fatmir Bektashi u dha masa “detyrim paraqitje”.

Malltezi, nëpërmjet investimit te kompania “Homeplan shpk”, që ka kryer ndërtimet tek ish-kompleksi sportiv “Partizani” ka përfituar 5.4 mln euro që sipas Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion janë para të jashtëligjshme pasi nuk ka qenë investitor duke fshehur kështu origjinën e parave. Ai ka shfrytëzuar ndërtuesin Bektashi, për t’i pastruar këto para.