Politikë

Berisha kërkon hetim parlamentar për “McGonigal”: Rama nuk i shpëton dot ndëshkimit nga drejtësia amerikane

Ish kryeministri Sali Berisha ka rikthyer sërish çështjen “McGonigal” dhe thotë se do të kërkojë sërish hetim parlamentar. Berisha kërkon krijimin e menjëhershëm të një komisioni hetimor të veprimtarisë së McGonigal në Shqipëri.

“Ka një zhvillim shumë dramatik në këtë veprimtari. Deri para 3 javësh, ish-tradhtari i kombit amerikan, McGonigal, gjykohej për dy çështje kryesore veças. Për çështjen Deripaska dhe lidhjen ruse, për çështjen Rama dhe lidhjen shqiptare. Njëra çështje gjykohej në Nju Jork, çështja tjetër gjykohej në Uashington.

Çështja shqiptare kishte të bënte me ryshfet. Çështja tjetër kishte të bënte me probleme të tjera.

Ryshfet me të cilin Edi Rama kishte angazhuar kryezbuluesin e FBI kundër opozitës, ndërkohë që ishte në detyrë. Natyrisht, Edi Rama ka imunitet diplomatik, por çështja e tij nuk mbyllet kurrë.

Le të aktivizojë ai të gjithë miqtë e tij, me Alex e me George, ai nuk i shpëton dot ndëshkimit nga drejtësia amerikane. Por zhvillimi dramatik i para tre javëve është shumë thelbësor. Prokurori amerikan kërkon shkrirjen e çështjeve, ç’ka do të thotë se dosja shqiptare nuk është më vetëm dosje ryshfeti. Ne do bëjmë gjithçka për të dhënë kontributin tonë për hetimin e të gjithë personave të lidhur me aferën McGonigal, në Shqipëri dhe jashtë saj, me mundësitë që kemi”, tha Berisha.