Politikë

Berisha nga Kurbini: Votoni ndryshimin, t’i japim fund qeverisë për qeveritarët e zyrtarët

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar takimin përmbyllës të fushatës së koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ në Kurbin. Gjatë fjalës së tij, Berisha bëri thirrje që qytetarë të dalin në masë e të votojnë, pasi vota e lirë i ka futur tmerrin Edi Ramës.

“Votoni ndryshimin, sepse ndryshimi absolutisht do ti japë fund, qeverisë për qeveritarët e zyrtarët dhe do të vendosë qeverisjen për qytetarët. Ju bëj thirrje, me 14 maj çdo qytetar, çdo banor i këtij rrethi të bekuar, nga malësia gjer në kufi me Krujën dhe kudo, të marrë pjesë në votime, të dalë në votim, Edi Ramën e ka kapur frika dhe tmerri nga vota juaj”, tha gjatë fjalës së tij kryetari i PD-së, Sali Berisha.

Berisha tha se Ramën dhe zyrtarët e tij i ka kapur tmerri, pasi do t’u dalin të gjitha ato që kanë bërë.

“I dashur Behar, të gjitha ato kanë vetëm një shpjegim. Frikën, tmerrin që ai ka, sepse ka bërë kërdinë me këtë zonjën këtu dhe tani e di, se ti do të ua nxjerrësh të gjitha defterët, të gjithë ç’kanë bërë, do i çosh, por unë jam i sigurtë se ti do të zbatosh ligjet, do të zbatosh detyrën tënde”, theksoi gjatë fjalës së tij në takimin në Kurbin, kryetari i PD-së Sali Berisha.