Aktualitet

Biznesmeni i rishfaqur Davide Pecorelli qarkullonte me identitet të rremë e nuk njihej!

Mbrëmjen e 12 shtatorit, për të parën herë në 8 muaj, karta e kreditit e Davide Pecorelli-t “foli”. Përmes saj, dikush tërhoqi para’ në një bankë në Romë. Pas shumë të dhënave të mbledhura në javët e fundit, për hetuesit në Peruxha, kjo përbënte provën se biznesmeni italian, i zhdukur prej janarit, mund të ishte gjallë e se ndodhej në Itali, jo i djegur në makinën e shkrumbuar në Pukë. Në automjetin e marrë me qira në Aeroportin e Rinasit u gjetën mbetje kockore që ende nuk dihet se kujt i përkasin.

Për lëvizjet bankare, hetuesit u sinjalizuan nga partnerja shqiptare e sipërmarrësit. Gruaja me banim në Lama të San Xhustinos e monitoronte në vazhdimësi, në kërkim të një shenje nga Davide, i cili përfundimisht u gjet të premten në mbrëmje.

Ndonëse i vendosur për t’u zhdukur e për të mos mbajtur kontakte me të afërmit, planet e Pecorelli-t pësuan ndryshim kur të premten, gomonia me të cilën lëvizte u përball me një të papritur. Moti i keq, me det të trazuar dhe avaria në motorin e mjetit lundrues ndërsa ndodhej në ishullin Montekristo, bëri që të ndihmohej nga një motovedetë e marinës.

I transformuar në pamje, i dobësuar e me flokë të gjatë, ushtarakëve iu tha se është Davide Pecorelli dhe se dëshironte të fliste me prokurorët në Peruxha, që me kolegët e Prokurorisë Tiranë, hetojnë prej janarit lidhur me fatin e tij. Gjithashtu, mësohet se mbrëmjen e së mërkurës kishte qëndruar në një hotel në Xhilio ku mori dhe gomonen e paraqiti dokumente false.

Për momentin, Davide është njeri i lirë por mbetet të zbardhen arsyet e zhdukjes 8-mujore, motive që ndoshta duhen kërkuar në vështirësitë ekonomike me të cilat përballej e kjo rezultoi nga hetimet e deritanishme. Nuk përjashtohet as mundësia se kërkonte t’i fshihej dikujt në veçanti. Misteri më i madh është se si arriti të shkojë në Itali? Ndoshta nesër kur të takojë prokurorin e çështjes, mund të kuptohet diçka më shumë për kohën e qëndrimit në Shqipëri e se çfarë bënte në mes të detit me gomone.