Dilema Sociale

Blendi Salaj: “Mazhoranca është e lodhur, e korruptuar, e vonuar…”

Gazetari dhe analisti Blendi Salaj ishte i ftuar këtë të shtunë në “Dilema Sociale” nën moderimin e Eno Popit. Blendi bëri një analizë mbi zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, ku ndër të tjera zbuloi edhe arsyen pse Partia Demokratike i humbi ato.

Ai tregoi për rëndësinë e parave në një fushatë elektorale. Një shembull që ai mori ishte Agron Shehaj, për të cilin Blendi u shpreh se është një njeri i pasur, i cili i ka fituar paratë në mënyrë të ndershme. Sipas tij, Shehaj ka besueshmëri te publiku dhe është një model i ri që ndoshta na duhet.

I pyetur se përse nuk fitoi opozita, Blendi u shpreh se problemi i saj nuk ishte reklama, por ‘bagazhet’ e së kaluarës.

Problemi ishte tek barra, te ‘bagazhet’ që Partia Demokratike kishte me vete… tek e shkuara e cila nuk po i shqitet nga këmbët… Unë do të preferoja një Parti Demokratike e cila është më moderne se sa mazhoranca, më ‘seksi’, më e re, më e ndershme, më e pastër, më e zgjuar, më e talentuar… Është ajo që mazhoranca s’është, ndërkohë që mazhoranca është e lodhur, e korruptuar, e vonuar…

Ndër të tjera, Blendi u shpreh se e rëndësishme për një fushatë politike, është edhe përkrahja e familjarëve, duke iu referuar kështu Orlando Rakipit. Ai u shpreh se Rakipi është një emër që u bë i famshëm brenda natës. Sipas Blendit, ky personazh ka patur mbështetjen e të atit, mirëpo u teprua pak, pasi u kapërcyen edhe figura intelektuale, mjekë, inxhinierë e polikanë të njohur e me kontribute.