Bota Tech

Bota pranë zotërimit të burimit të pakufijshëm të energjisë së pastër!

Rajoni Provence në jug të Francës, është i vetmi vend në botë ku mund të shohësh dy diej. Njëri ka shkëlqyer për 4 miliardë e gjysmë vite dhe po perëndon. Ndërsa tjetri po ndërtohet nga mijëra mendje dhe duar njerëzore dhe po rritet, shumë më ngadalë. Rrezet e fundit të mbrëmjes së diellit të vërtetë hedhin një shkëlqim magjik mbi tjetrin, një kantier i madh ndërtimi që mund të zgjidhë krizën më të madhe ekzistenciale në historinë njerëzore.

Pikërisht këtu, në komunën e vogël të Saint-Paul-lez-Durance, 35 vende janë bashkuar për të provuar dhe zotëruar shkrirjen bërthamore, një proces që ndodh natyrshëm në diell dhe në të gjithë yjet, por është jashtëzakonisht e vështirë për t’u përsëritur në Tokën tonë. Shkrirja premton një formë praktikisht të pakufishme të energjisë që, ndryshe nga lëndët djegëse fosile, lëshon zero gazra serrë dhe ndryshe nga fuqia e ndarjes bërthamore që përdoret sot, nuk prodhon mbetje radioaktive jetëgjata.

Zotërimi i këtij burimi energjetik të pashtershëm mund ta shpëtojë njerëzimin nga ndryshimet klimatike, një krizë e krijuar nga ne. Nëse përvetësohet, energjia me shkrirje padyshim që do të furnizonte të gjithë botën. Vetëm 1 gram nga kjo energji është e barazvlefshme me 8 tonë karburant të djegshëm. Ekspertët atomikë që rrallëherë japin vlerësime ekzakte, thonë se ndoshta për 30 vite mund të arrihet ky ndryshim revolucionar energjetik.

Shkrirja bërthamore krijohet duke bashkuar me forcë dy grimca, që nga natyra shtyjnë njëra-tjetrën. Për ta arritur këtë, zhvillohet një proces i gjatë, ku mes tjerash nevojitet që reaktori tokamak të përballojë një nxehtësi të paimagjinueshme: plazma e tij duhet të arrijë të paktën 150 milionë gradë celsius, 10 herë më nxehtë se sa bërthama e Diellit. Fatmirësisht, shkencëtarët dhe inxhinierët kanë gjetur një mënyrë për ta bërë këtë, duke vendosur magnetë gjigantë për të krijuar një fushë të fuqishme magnetike për të mbajtur atë nxehtësi si brenda reaktorit, njësoj si në një shishe.