Aktualitet

Breshëri plumbash drejt banesës së Skënder Likës në Kurbin! Në mars iu vu tritol!

Të shtëna me armë zjarri raportohen në Sanxhak të Kurbinit, ku siç bëhet e ditur u qëllua me breshëri plumbash në drejtim të banesës së Skënder Likës, djali i të cilit është arrestuar për vrasje. Të shtënat erdhën nga një makinë tip “Audi” me xhama të zinj e që më pas u largua.

Kjo ngjarje vjen disa muaj pasi në banesën e familjes Lika u vendos lëndë plasëse.  Tritoli që shpërtheu pranë vilës tri katëshe në muajin mars të këtij viti shkaktoi dëme të shumta në banesën e tij e në shtëpitë e tjera përreth. Prej marsit, anëtarët e familjes Lika nuk jetojnë më atje, por sot ishin rikthyer për të kontrolluar gjendjen e pronës. Asnjë prej plumbave nuk i kapi.

Dyshimet në lidhje me ngjarjen e sotme kanë të bëjnë me vrasjen e biznesmenit Pilot Roli, i njohur edhe me emrin Rakip, në dhjetor të vitit 2021, me autor të dyshuar Llej Likën, djalin e Skënder Likës. I riu pati pranuar autorësinë e deklaroi se krimin e kreu për të vënë nderin në vend pasi u dhunua nga djemtë e viktimës e vuri në dukje se veproi i vetëm. Me të u arrestuan edhe babi e një person tjetër, por më pas u lanë të lirë se nuk kishte prova të mjaftueshme për implikimin e tyre.