Rajoni

Çështja e dinarit serb ende pa zgjidhje në Kosovë, sot takim i ri në Bruksel!

Dialogu Kosovë-Serbi në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve, kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, sërish takohen sot me ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së, Mirosllav Lajçak. Në fokus, çështja e dinarit serb. Palët do të vijojnë përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje lidhur me transferimin e mjeteve financiare nga Serbia në Kosovë.

Ky do të jetë takimi i pestë mes kryenegociatorëve të dy vendeve për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua në Kosovë në muajin shkurt. Mund të ketë edhe takime të përbashkëta mes palëve, nëse prej tyre shprehet gatishmëria për këtë.

Me rregulloren e re të Bankës Qendrore (BQK), euro u caktua si valuta e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave me para duke nisur nga 1 shkurti. Hyrja në fuqi e kësaj rregulloreje ka zemëruar Serbinë, vend që përmes buxhetit të tij shtetëror u dërgon ndihmë financiare serbëve që jetojnë në Kosovë.

Bashkësia ndërkombëtare i ka kërkuar Prishtinës ta pezullojë rregulloren, në mënyrë që t’u jepet kohë qytetarëve të përshtaten me praktikën e re. Por, qeveria e Kosovës ka ngulur këmbë se është fjala për një vendim të pavarur të BQK-së e jo për një vendim politik.

Në takimet e deritashme në Bruksel për këtë çështje janë dhënë disa propozime për gjetjen e një zgjidhjeje sipas së cilës Serbia do të mund të bënte pagesa për shfrytëzuesit e ndihmës financiare në Kosovë. Dy ditë më parë, Lajçak se është duke punuar për të gjetur zgjidhje për këtë çështje.

Në një përmbledhje të aktiviteteve të tij gjatë javës, Lajçak theksoi se në takimet e fundit me kryenegociatorët kanë arritur ta “ngushtojnë hendekun” lidhur me këtë temë. Por, takimi i javës së kaluar në Bruksel ku nuk pati një bisedë trepalëshe, përfundoi pa ndonjë rezultat.

Pas takimit të 18 prillit, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi u shpreh se pala serbe nuk shkoi me ide se si të trajtohet propozimi fillestar i të dërguarit të BE-së.

Ky takim mund të quhet si takim i kotë, pa rezultat dhe ndoshta si sukses i politikës penguese të palës serbe.

Ndërkohë, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç pretendoi se Beogradi “bëri gjithçka për të gjetur një zgjidhje”.