Aktualitet

CEZ-DIA, Meta: Nuk kam firmosur në interes të askujt, çështjen po e dikton politikisht Rama!

Pas dy orësh, Ilir Meta doli nga mjediset e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK ku dëshmoi për aferën CEZ-DIA. Duke folur për mediat, kryetari i Partisë së Lirisë, Meta tha se nuk ekziston asnjë akt apo shkresë që ai ta ketë nënshkruar në interes të dikujt.

Në çdo rast nuk ekziston asnjë akt, shkresë, dokument, urdhër për ligje dhe akte nënligjore nga Ilir Meta në detyrat e tij si zëvendëskryeministër, as ministër i Ekonomisë. Isha si një person që ka dijeni për rrethana të caktuara. U pyeta për detaje të ndryshme të cilat nuk kanë asnjë rëndësi.

Dua të theksoj se nuk ka asnjë akt, shkresë apo dokument nga ana e Ilir Metës në pozitat e tij, në interes të askujt. Kjo është çështje që diktohet politikisht nga Rama për të shmangur vëmendjen e tij nga skandalet e përditshme dhe për të spostuar vëmendjen në thashetheme që janë të 14 apo 15 vite më parë.

Nuk kam asnjë interes për dëshmitë që ka SPAK, është detyra e tij të hetojë, jetojmë në një kohë kur dëshmitë dhe kallëzuesit e rreme janë bërë në modë. Kemi një qeveri që kërkon të shmangë vëmendjen nga skandalet, që nga ai i inceneratorit dhe skandalet e tjera. Jam këtu dhe do jem transparent për aktet që kam marrë në të kaluarën.

Nuk më habit asnjë keqpërdorim i misioneve të drejtësisë, nuk më shqetëson, jam këtu përballë jush dhe qytetarëve për aktet e mia dhe askush nuk duhet të ketë iluzionin se në këtë mënyrë do të arrijnë të shfokusojnë jo vetëm Metën, por dhe opozitën e vërtetë.

Meta u shpreh në fund se do jetë gjithnjë i gatshëm të përballet me drejtësinë.

Absolutisht, mos kini asnjë shqetësim! Do të përballem me drejtësinë dhe çdo të vërtetë! SPAK-u është aktivizuar për nja 100 denoncime, problemi është se inceneratorët s’janë aty.

Teksa më herët hynte në SPAK, i pyetur nga gazetarët se për çfarë është thirrur, kryetari i Partisë së Lirisë deklaroi se për një telenovelë që sipas tij “është gjykuar nja dy herë”, referuar aferës ÇEZ-DIA.

Për telenovelën ÇEZ-DIA… meqenëse jeni lajmëruar herët dhe po përballoni reshjet e shiut. Është një telenovelë që është gjykuar nja dy herë. Është rihapur për rastin konkret në dhjetor të vitit 2019 nga një kallëzues i rremë, i dënuar dy herë për shpifje dhe është dënuar edhe njëherë nga gjykata për dhunë në familje.