Aktualitet

Çmontohen 16 kamera që kontrolloheshin nga kontigjenti kriminal në Vlorë, ishin vendosur në zona me frekuentim të lartë

Pas Shkodrës kanë nisur edhe në Vlorë kontrollet për zbulimin e kamerave të sigurisë që shërbejnë në funksion të grupeve kriminale, ku blutë nuk kanë dalë duarbosh.

Gjatë këtij aksioni, policia ka mundur të çmontojë 16 kamera sigurie që kontrolloheshin nga kontigjenti kriminal, me qëllim informimin dhe kamerat ishin vendosur në zona me frekuentim të lartë, në qytet.

Kamerat e sekuestruara ishin vendosur pa lejen përkatëse të organeve kompetente dhe vendosja e tyre është në kundërshtim me ligjin 9887, të datës 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” dhe përbën veprën penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, që parashikohet nga neni 121 i Kodit Penal.

Ndërkohë vijon puna intensive për identifikimin e shtetasve që kanë instaluar këto kamera, si dhe për zbardhjen e plotë të qëllimit të vendosjes së tyre.

Njoftimi i plotë:

Vlorë/Vijon faza e tretë e planit operacional policor të koduar “Fijet”.

Plani operacional intensiv, i iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në të gjitha qarqet e vendit.

Finalizimi i fazës së tretë të operacionit “Fijet”, rezultoi me çmontimin e 16 kamerave që kontrolloheshin nga kontigjenti kriminal, me qëllim informimin. Kamerat ishin vendosur në zona me frekuentim të lartë, në qytet.

Vijojnë hetimet në nivel qëndror dhe vendor, me qëllim identifikimin e shtetasve që i kontrollonin këto kamera, për qëllime kriminale.

Strukturat hetimore të DVP Vlorë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vlorë, në zbatim të detyrave të përcaktuara në kuadër të planit operacional mbarëkombëtar të koduar “Fijet”, i iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, si dhe me mbështetjen e inteligjencës informative, për vendosjen e paautorizuar të disa kamerave, në disa lagje të qytetit të Vlorës, me qëllim sigurimin e informacioneve për qëllime kriminale, si dhe për të monitoruar lëvizjet e Policisë, kanë organizuar punën për evidentimin dhe çmontimin e këtyre kamerave, identifikimin e pronarëve të tyre, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të qëllimit të përdorimit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë kanë çmontuar dhe sekuestruar 16 kamera, të dyshuara të lidhura me aparate celulare të shtetasve të ndryshëm. Këto kamera ishin instaluar në lagjet “Uji i Ftohtë”, “1 Maji”, “24 Maji”, “Lirim” dhe “Hajro Çakërri”.

Kamerat e sekuestruara ishin vendosur pa lejen përkatëse të organeve kompetente. Vendosja e tyre është në kundërshtim me ligjin 9887, të datës 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” dhe përbën veprën penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, që parashikohet nga neni 121 i Kodit Penal.

Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, vijon puna intensive për identifikimin e shtetasve që kanë instaluar këto kamera, si dhe për zbardhjen e plotë të qëllimit të vendosjes së tyre.