Aktualitet Travel

“Daily Star”: Koha për të zbuluar Shqipërinë!

Në të përditshmen angleze “Daily Star”, Sophie Foster shkruan se “shumë nga destinacionet e preferuara të turistëve si Greqia dhe Italia kanë rritur çmimet vitet e fundit, kështu që është koha për të zbuluar disa rajone më pak të njohura”. Dhe këtu vjen pjesa për Shqipërinë.

Riviera e Shqipërisë, që përfshin vijën bregdetare të Adriatikut, është një vend i mrekullueshëm për pushime me plazhe mahnitëse, me ujëra blu të kristaltë, hotele dhe fluturime të lira. E kufizuar në jug nga Greqia, Shqipëria ka rrëmbyer vëmendjen e britanikëve dhe nuk është për t’u habitur duke marrë parasysh rivierën e saj të mahnitshme.

Shumë turistë britanikë ndoshta nuk e kishin menduar kurrë të vizitonin Shqipërinë, por vendi ofron oferta të lira e plazhe mahnitëse që rivalizojnë Maldivet.

Ju mund të shijoni rrezet e diellit dhe temperaturat e ngrohta gjatë verës. Riviera Shqiptare, e cila shtrihet në Adriatik, mund të rivalizojë Bregun e Amalfit në Itali ose ishujt grekë, falë detit të saj të kristaltë bruz e rërës së bardhë.

Pra, ia vlen të vizitoni disa nga pikat më të bukura turistike nëse dëshironi të kaloni pushimet në një destinacion me kosto të ulët, por në të njejtën kohë edhe mahnitës.

Një nga zonat më magjepsëse të Rivierës Shqiptare është Ksamili, i krahasuar me Karaibet nga vizitorët. Ai ndodhet në jug të Shqipërisë brenda Parkut Kombëtar të Butrintit dhe ofron gjithçka që mund të dëshironi për pushime.

Zonat me bukuri të jashtëzakonshme përfshijnë ishujt e Ksamilit, të cilët mund t’i vizitoni duke udhëtuar me varkë e të endeni mes porteve për të parë detin Jon, të pastër kristal. Ata që dëshirojnë të akomodohen në një vilë do të duhet të paguajnë rreth 100 paund për një qëndrim pesë netësh.

Një dhomë në një hotel në Ksamil, midis majit dhe qershorit, kushton 131 paund për pesë netë. Ksamili nuk është i vetmi, për të shijuar Rivierën Shqiptare. Saranda është “kryeqyteti jozyrtar” i rajonit e që ndodhet pikërisht pranë kufirit grek.

Qyteti është plot me shëtitore, ballkone me pamje nga deti dhe klube nate, po buzë detit. Plazhi kryesor ofron ujëra të pastër kristal.

Po ashtu, Palasa në Rivierën Shqiptare ka plazhin më të mirë në vend, i krahasuar me Maldivet nga pushuesit e huaj. Zona turistike njihet për rërën e bardhë, motin e nxehtë, restorantet dhe baret relaksuese buzë plazhit.

Palasa është parajsa mbi tokë e të gjithë në botë duhet ta vizitojnë këtë gji me ujërat blu kristal, të ngjashme me Maldivet.