Aktualitet

Dallëndyshe Bici në krye të Kadastrës, kryeministri Rama: Të mbyllen sportelet!

Sot në prezantimin zyrtar të Dallëndyshe Bicit në krye të Kadastrës, kryeministri Edi Rama tha se duhet mbyllur përfundimisht kontakti i drejtpërdrejtë mes qytetarëve dhe Kadastrës. Shefi i qeverisë u shpreh se aplikimi dhe marrja e përgjigjes për regjistrimin e pronës do të bëhen online e nuk do të ketë më sportele. Rama deklaroi:

Sot kemi një bazë, nga e cila mund të shkojmë me shpejtësi më tutje e që janë teknologjia e proceset teknologjike të nisura edhe nga Kadastra. Na kanë dhënë mundësinë të shërbejmë pa radhë e që qytetarët ta kërkojnë shërbimin nga Kadastra online. Por, jemi në kushtet kur cikli mbetet i hapur, pasi ndërkohë pjesa e përgjigjeve ende jepet me letër dhe ende kërkon postën e të tjerë komponentë në mes, që janë pjesë e problemit dhe jo e zgjidhjes përfundimtare. Në këtë fazë na duhen zgjidhje radikale për të mbyllur procesin.

Që do të thotë është koha për t’i mbyllur përfundimisht të gjitha rrugët e kontakteve të drejtpërdrejta mes qytetarëve e Kadastrës. Kadastra është banka më e rëndësishëm e vendit, është banka e pasurive të paluajtshme. Jo vetëm duhen mbyllur të gjitha sportelet, por menjëherë duhen mbyllur të gjitha zonat ndarëse. Nuk do funksionojnë më me zona apo çifligje. Duhet një bashkëpunim i ngushtë me Kadastrës dhe AKSHI-t, që procesi të marrë një tjetër vrull e të hyjë në një tjetër fazë.

Për dixhitalizimin e plotë të pronave dhe hartave, Rama tha se do të futen në punë edhe shërbimet satelitore përmes satelitëve Albania 1 e Albania 2.

Duhet futur në punë shërbimi satelitor, ku ka filluar dhënien e prodhimeve të para dhe puna e Kadastrës, përfundimisht të ketë funksionin teknologjik. Problematika bazë mbetet stabiliteti i burimeve njerëzore dhe cilësia e tyre e natyrisht që në këtë aspekt, kërkohet që Kadastra të vazhdojë të blindohet për të mos lejuar influencat e jashtme, se është banka më e rëndësishme e vendit.