Bota

Debat i shëndetshëm në takimin virtual të presidentëve të Amerikës e Kinës, Biden dhe Jinping!

Presidenti amerikan, Joe Biden i tha homologut kinez, Xi Jinping se SHBA-të janë kundër “përpjekjeve të njëanshme” për të ndryshuar status quo-në ose dëmtuar paqen në Tajvan. Vërejtjet u bënë gjatë samitit të parë virtual të dy liderëve. Gjithashtu diskutuan të tjera çështje, siç janë veprimet e Kinës në Ksinjiang e Hong Kong. Samiti vlerësohet të jetë më i rëndësishmi që kur Biden mori detyrën në janar të vitit 2021.

Presidenti i Kinës i ka tërhequr vërejtjen presidentit Biden se mbështetja e SHBA-ve për pavarësinë e Tajvanit është “si të luash me zjarrin”. “Ata që luajnë me zjarrin do të digjen”, citohet t’i ketë thënë presidenti kinez homologut amerikan. Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Biden theksoi se “Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj politikës “Një Kinë””. Ai kundërshton fuqimisht përpjekjet e njëanshme për të ndryshuar status quo-në ose për të minuar paqen dhe stabilitetin përgjatë ngushticës së Tajvanit. Politika “Një Kinë” është bazë e marrëdhënieve të Pekinit me Uashingtonin. Sipas saj, Amerika njeh dhe ka lidhje formale me Kinën e jo me ishullin e Tajvanit.

Vitet e fundit, Pekini ka intensifikuar përpjekjet për ta izoluar Tajvanin në skenën ndërkombëtare. Disa herë në muajt e fundit, avionët ushtarakë kinezë kanë hyrë në zonën mbrojtëse ajrore të ishullit. Por, Amerika është e detyruar të zbatojë një ligj të saj të quajtur Akti i Marrëdhënieve me Tajvanin, sipas të cilit Uashingtoni duhet të ndihmojë Tajvanin të mbrohet në rast sulmi. Muajin e kaluar, Biden u shpreh se Amerika do të mbronte Tajvanin nëse Kina do të sulmonte ishullin. Gjatë bisedës, të dy liderët kërkuan që të stabilizohen lidhjet e tensionuara dhe të gjejnë mënyra për të shmangur konfliktin.

Shtëpia e Bardhë tha pas takimit se diskutuan fushat në të cilat iu përputhen interesat e vlerat. Media shtetërore kineze tha se presidenti i Kinës i tha homologut të tij se Shtetet e Bashkuara dhe Kina duhet të respektojnë njëra-tjetrën, të rrisin komunikimin e bashkëpunimin në çështjet e tyre të brendshme, duke marrë pjesën e drejtë të përgjegjësive ndërkombëtare. Biden gjatë bisedës ka ngritur edhe çështjen e shkeljes së të drejtave të ujgurëve në Kinën veriperëndimore, cënimin e lirive demokratike në Hong Kong, Tibet dhe çështje të tjera të të drejtave të njeriut. Udhëheqësit e dy ekonomive më të mëdha të botës diskutuan gjithashtu për tregtinë dhe ekonominë, si dhe ndryshimet klimatike e çështjet e përballjes me pandeminë COVID-19.