Aktualitet

Deficiti tregtar thellohet në muajin tetor me 45 mld lekë

Eksportet në tetor kapën vlerën e 38 miliardë lekëve, ndërsa importet arritën në 83 miliardë, duke regjistruar bilancin negativ prej 45 miliardësh.

Sipas të dhënave të INSTAT, në krahasim me tetorin e vitit të kaluar, ka një rritje me 5.5 për qind të bilancit negativ të tregtisë së mallrave.

Grupi kryesor që ka ndikuar edhe në tetor në rritjen e vlerës së importeve ka qenë ai i karburanteve dhe energjisë elektrike, me një rritje mbi 10 për qind.

Në rritjen e eksporteve grupi tekstile dhe këpucë ka regjistruar shifrën më të lartë. Bilanci tregtar për 10 muajt e këtij viti është negativ me 378 miliardë lek.

Të dhënat e INSTAT tregojnë rënie të fortë si të eksporteve, ashtu edhe të importeve me Kosovën, ndërsa rritje ka më Italinë dhe Spanjën.

Vendet e BE përbëjnë 60 për qind të tregtisë së jashtme të Shqipërisë.