Aktualitet

Dekonspironte aksionet anti-kanabis në Pukë, një nënkomisar në kërkim, 9 të arrestuar!

Operacion anti-kanabis, goditet një grup kriminal në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, në zonat malore të Pukës e Mirditës. Pas hetimit 1-vjeçar të SPAK-ut, u vunë në pranga 9 persona dhe 4 të tjerë u shpallën në kërkim, mes tyre nënkomisari i Policisë së Pukës, Kastriot Bicukaj, i dyshuar për favorizim të kultivimit të kanabisit. Për 4 efektivë të tjerë u dha masa e sigurisë “Detyrim për paraqitje”.

20 masa sigurie janë dhënë nga SPAK-u në lidhje me këtë operacion për goditjen e kultivimit të kanabisit. Nga hetimet rezultoi se trafikantët bashkëvepronin me njëri-tjetrin, për të siguruar shitjen e lëndëve narkotike, si dhe kishin mbështetjen e Policisë për kryerjen e aktivitetit kriminal. Policët dekonspironin operacionet duke informuar trafikantët për kontrollet që do ushtroheshin në zonë. Favorizimet u konstatuan në të paktën 4 raste.

U arrestuan Leon Ndreca dhe Gjin Kola kokat e grupit të kultivimit të kanabisit, si dhe shtetasit me iniciale M.RR.; Z.L.; I.P.; L.K.; T.L.; A.K. dhe Y.V. Ndërkaq, efektivët e Pukës për të cilët u vendos “Detyrimi për paraqitje” e që akuzohen “Për shpërdorim detyre” janë inspektorët Zamir Mehaj, Alfred Ndoj, Fatmir Alija e Petrit Florini.

S.L. dhe E.L u lanë në arrest shtëpie, ndërsa me Bicukajn u shpallën në kërkim T.SH.; G.M.; G.T. Në 4 raste u sekuestruan 4.000 rrënjë kanabisi dhe rreth 80 kg kanabis. Hetimet po vazhdojnë në kuadër të dokumentimit të veprimeve të disa punonjësve të Policisë Gjyqësore, pasi dyshohet për përfshirje të tyre në këtë veprimtari kriminale.