Aktualitet

Dekriminalizimi, kryeprokurori Çela: Verifikimi i subjekteve zvarritet!

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela deklaroi se edhe pse ka një rritje të kapaciteteve për sektorin e Dekriminalizimit në institucionin që drejton, problemi qëndron te fakti se shumica e vendeve të huaja nuk japin informacion. Sipas kryeprokurorit, kjo është edhe arsyeja se përse procesi ngec e verifikimet nuk janë të plota.

Për sektorin e Verifikimit të Dekriminalizimit kemi forcuar kapacitetet. Janë dy prokurorë që merren dhe dy oficerë të Policisë Gjyqësore. Por, ne kemi vështirësi te përgjigjet që marrim jashtë vendit, pjesa më e madhe e vendeve nuk na përgjigjen sepse nuk e njohin si proces. Vetëm dy vende na përgjigjen. Verifikimet që ne kryejmë nuk janë të plota ndaj ka dhe zvarritje. Pjesa më e madhe e shteteve nuk ofrojnë ndihmë juridike sa i përket çështjeve të Dekriminalizimit. Ne duam të zgjidhim një çështje shqiptare si çështje ndërkombëtare.

Sot Çela raportoi para Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP, ku prezantoi raportin e vitit të kaluar.

Vitin e kaluar vijoi krijimi i vakancave të përkohshme e të përhershme deri në 42% të prokurorëve, për shkak të rivlerësimit kalimtar. Ndërkohë, megjithë situatën e rënduar, prokurorët dhe strukturat administrative e mbështetëse në prokurori vazhduan përpjekjet për të përballuar këtë gjendje kalimtare.

Prokurori i Përgjithshëm tha se një numër i jashtëzakonshëm çështjesh u trajtua gjatë gjithë vitit.

Gjatë vitit 2022, në organin e prokurorisë janë trajtuar 61 mijë e 45  materiale kallëzuese që përbën një rritje prej 0.11% në krahasim me 2021-shin.

Rrethi me më shumë procedime rezulton Tirana, me 8 mijë e 709 dhe me më pak, Puka me 59. Shefi i organit qendror të akuzës foli edhe për Hartën Gjyqësore:

Eshtë pozitive dhe besoj se do të sjellë rezultate, Harta e re Gjyqësore, konsolidimi i zyrave në vetëm 13 të tilla, mendoj se do të rrisë cilësisht mënyrën si do të ndërveprohet mes Prokurorisë së Përgjithshme e drejtuesve të prokurorive e mes drejtuesve të prokurorive dhe prokurorëve. Tashmë, testi real i sistemit të ri të Prokurorisë do të jetë ky organizim i ri. Megjithatë, sërish e quaj të papranueshme që nga ana e drejtuesve apo e prokurorëve të ketë një nivel të lartë të moszbatimit të udhëzimeve të detyrueshme.