Aktualitet

Dhuna ndaj kushërinjve Maja, policia me njoftim zyrtar për bllokimin e gurores së Rrajave në Borizanë/Kontroll 9 banesave të dëmtuara!

Policia del me njoftim zyrtar për bllokimin e aktivitetit në guroren e Rrajave, në fshatin Borizanë të njësisë administrative Thumanë, në Bashkinë Krujë. Për shpërthimet në të, vazhdimisht ka patur ankesa e protesta nga banorë të zonës, për faktin se u kanë dëmtuar banesat. Këto ankesa u bënë shkak për dhunën barbare të pak ditëve më parë ndaj dy kushërinjve Bilbil e Jashar Maja në një lokal të zonës. Ata shkuan të takohen me inxhinierin për të kërkuar zgjidhje të problemit kur mësynë dhunuesit që i kërcënuan me armë zjarri dhe i goditën me shkopa bejsbolli e gome, si dhe qyta pistoletash. Rrahman Rraja dha dorëheqjen si deputet i PS-së në Krujë, ndërsa djali i tij është në kërkim për aktet e dhunës. Po ashtu, një ditë më parë, kryeministri Rama shkarkoi Bledi Çuçin si ministër të Brendshëm. Në vend të tij, emërohet Taulant Balla.

Njoftimi i policisë:

Bllokohet aktiviteti në subjektin gurore “Delia Group”. Bllokimi pas inspektimit të bërë nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me AKBN-në dhe AKSEM-in.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, të mbështetura nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe Autoritetin Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, ushtruan kontroll ne subjektin gurore “Delia Group”, me administrator shtetasin V.D., me vendndodhje  rreth 300 metra mbi fshatin Borizanë, Njësia Administrative Thumanë, Bashkia Krujë.

Pas këqyrjes së sipërfaqes ku kryhet aktiviteti i gurores, si dhe të dokumentacionit të saj, u vendos bllokimi i subjektit deri në përgatitjen e dokumentacionit dhe vlerësimit të tij, nga ana e AKBN-së e AKSEM-it.

Përveç kontrollit në këtë gurore, u bë këqyrja e nëntë banesave, të cilat dyshohet se janë dëmtuar nga aktiviteti i kësaj guroreje. Gjatë këqyrjes morën pjesë edhe specialistë të Agjencisë Kombetare të Burimeve Natyrore, të cilët bënë matjet për të përcaktuar distancën midis guroreve e banesave objekt këqyrje.

Aktet procedurale të përpiluara do të referohen në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, si pjesë e materialeve të referuara më parë, për ngjarjen e datës 02.05.2023.