Aktualitet

Dhunimi i mësueses në Memaliaj, ministrja Kushi: E indinjuar, dhuna nuk zgjidh konfliktet!

Dhuna në mjediset e shkollës 9-vjeçare “Nimete Progonati” në Memaliaj ku një ditë më parë një grua dhunoi fizikisht mësuesen e mbesës së saj në klasë të tretë, me pretendimin se arsimtarja e bullizoi dhe e dhunoi të miturën, reagon ministrja e Arsimit. Në një postim në rrjetet sociale, Evis Kushi shprehet shumë e indinjuar e vë në dukje se “asnjëherë dhuna nuk është mënyra e duhur për zgjidhjen e konflikteve në institucionet arsimore, pavarësisht arsyeve që shkaktuan këtë ngjarje”. Ministrja Kushi deklarohet e vendosur për të mos toleruar asnjë rast dhune si ndaj nxënësve ashtu dhe kundrejt mësuesve. Po ashtu, apelon që mësuesit të trajtohen me respektin e dinjitetin e merituar. “Do të marrim të gjitha masat që shkolla të jetë gjithmonë një mjedis i sigurt, i ngrohtë dhe i shëndetshëm për edukimin dhe mirëqenien e nxënësve tanë”, – nënvizon numri një i dikasterit të Arsimit.

Postimi i ministres së Arsimit, Evis Kushi:

Jam shumë e indinjuar nga rasti i dhunës së ushtruar mbi një mësuese në mjediset e shkollës 9-vjeçare “Nimete Progonati” në Memaliaj.

Pavarësisht arsyeve që kanë shkaktuar këtë ngjarje, dhuna nuk është asnjëherë mënyra e duhur për zgjidhjen e konflikteve. Në institucionet tona arsimore funksionojnë të gjitha strukturat e nevojshme për menaxhimin dhe zgjidhjen e situatave problematike.

Edhe pse është një rast i izoluar, për të cilin u morën masa të menjëhershme që ditën e djeshme, unë shpreh solidaritetin dhe u bëj thirrje nxënësve, prindërve dhe gjithë shoqërisë që ta trajtojmë mësuesin me respektin dhe dinjitetin që meriton.

Ne nuk do të tolerojmë asnjë rast dhune, as ndaj nxënësve e as ndaj mësuesve, atyre që edukojnë me dashuri fëmijët tanë dhe përgatisin me përgjegjshmëri brezat e ardhshëm.

Dua të garantoj të gjithë prindërit që ne do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim dhe do të marrim të gjitha masat që shkolla të jetë gjithmonë një mjedis i sigurt, i ngrohtë dhe i shëndetshëm për edukimin dhe mirëqenien e nxënësve tanë.