Aktualitet

Dhunoi faturinon e një autobusi për t’i marrë 675 euro, pranga të riut nga Laçi!

Grabitje rreth mesnate në Rrugën e Kombit, një 25-vjeçar ra në prangat e uniformave blu të Mirditës, i akuzuar se i vodhi me dhunë xhiron ditore faturinos së një autobusi të linjës Tiranë-Prishtinë. Burime zyrtare nga policia bënë të ditur se u kap dhe u arrestua shtetasi i identifikuar si Emirjan Deda, të cilit iu gjet dhe më pas në cilësinë e provës materiale, iu sekuestrua shuma e vjedhur në vlerën 675 euro.

Shtetasi me banim në Laç u prangos në kuadër të operacionit të koduar “Linja” dhe u identifikua, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore. Për t’i marrë çantën e brezit ku mbante paratë, 25-vjeçari e dhunoi fizikisht duke e goditur në kokë faturinon e mjetit të transportit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme në lidhje me veprën penale “Vjedhja me dhunë”.

Njoftimi zyrtar i policisë:

Operacioni, rezultat i reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Mirditë, pas kallëzimit për një rast vjedhjeje rreth mesnatës, në Rrugën e Kombit. I vodhi me dhunë, në rrugë, xhiron ditore faturinos së autobusit të linjës “Tiranë-Prishtinë”, kapet dhe arrestohet 25-vjeçari Emirjan Deda.

Gjendet dhe sekuestrohet shuma 675 euro që vodhi ky shtetas. Menjëherë pas kallëzimit të një shtetasi 31 vjeç, faturino i autobusit të linjës “Tiranë-Prishtinë” se rreth mesnatës, një shtetas e kishte goditur në kokë për t’i marrë çantën e brezit, me para në të shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë organizuan punën për të identifikuar dhe arrestuar autorin.

Si rezultat, në kuadër të operacionit policor të koduar “Linja”, shërbimet e Policisë, të mbështetura te informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, bënë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar të rastit, shtetasit E. D., 25 vjeç, banues në Laç.

Po ashtu, nga forcat e policisë u bë e mundur gjetja e shumës së parave të vjedhura me dhunë, 675 €, e cila më pas u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Ndërkaq, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.