Aktualitet

Digjet banesa në Lezhë, nuk ka të lënduar/Të mbetur pa shtëpi, familjarët kërkojnë ndihmë!

Zjarri shkrumbon një banesë në fshatin Kodhel të Blinishtit, në Lezhë. Fatmirësisht nuk ka të lënduar, por pesë anëtarë të familjes Marku kanë mbetur në qiell të hapur, pa një çati mbi kokë ndërsa moti i ftohtë ka ulur ndjeshëm temperaturat. Nga shtëpia nuk ka mbetur më gjë përveç mureve.

Paraprakisht dyshohet për një shkëndijë elektrike, por hetimet e verifikimet e mëtejshme të ekspertëve do të konfirmojnë shkakun e saktë. Mësohet se zjarri ra rreth orës 08:00 të mëngjesit dhe njëri prej anëtarëve të familjes, djali i shtëpisë njoftoi të tjerët. Madje, mësohet se ai tentoi shuarjen e flakëve me mjete rrethanore, por pa sukses. Ato u lokalizuan dhe u shuan falë ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse.

Kryefamiljari Land Marku, i cili tha se kishte dalë nga shtëpia për të vajtur në punë, tregoi:

Kam shkuar në punë si çdo ditë. E kam lënë familjen dhe kur ka parë djali flakën ka thirrur motrat e veta. Panë flakën në tavan. Shkëndija elektrike ka marrë direkt. Unë isha në punë, djali ka hapur dyert e ka dalë direkt jashtë.

I pikëlluar për atë që ka ndodhur pasi kanë mbetur në mes të katër rrugëve, Marku apelon:

Vetëm muret kanë mbetur. Kërkoj të më ndihmojnë! Më ka mbetur vetëm të dal në plastmas. S’ka mbetur asgjë!