Aktualitet Lajmet e fundit

Dita e 7 e protestës, qytetarë dhe studentë mblidhen përpara kryeministrisë me thirrje drejtuar qeverisë

Disa qyetarë dhe studentë kanë marshuar këtë të martë drejt kryeministrisë ku po protestojnë për të shtatën ditë kundër rritjes së çmimeve të hidrokarbureve dhe produkteve të shportës.

Edhe pse më të pakët në numër, protestuesit theksojnë se Paketa e rezistencës sociale të qeverisë nuk është masa e duhur, pasi është anashkaluar pjesa tjetër e popullsisë.

Ata kanë vendosur që të takohen çdo ditë jave në orën 17:00 përballë Kryeministrisë, ndërsa e shtuna do të jetë marshim kombëtar.

Kjo revoltë e qytetarëve erdhi pas rritjes së menjëhershme të çmimit të produkteve ushqimore dhe hidrokarbureve si efekt i luftës në Ukrainë.

Në mbledhjen e sotme, Bordi Kombëtar i Menaxhimit të Hidrokarbureve vendosi që çmimi i naftës dhe benzinës të shitet 211 lekë për litër.

Paraditen e kësaj të marte një grup studentësh me megafon ftuan të gjithë të rinjtë që të mblidhen në orën 16:30 për të marshuar drejt kryeministrisë, me dëshirën e tyre që të rikthejnë protestat e 2018. Një pjesë e vogël e tyre bojkotuan mësimin.