Aktualitet Politikë

“Drejtësia nuk ka kurajë t’i thotë Jo Ramës”, Fredi Beleri reagon pas emërimit të drejtuesit të ri të Himarës!

Pas emërimit të drejtuesit të ri të Bashkisë së Himarës, kryetari i zgjedhur Fredi Beleri, reagoi nga burgu, duke akuzuar prefektin e Vlorës, Vangjel Tavo, se nisi prej andej fushatën elektorale duke premtuar tituj pronësie.

Sipas Belerit, zgjidhja e vetme e situatës është lejimi i betimit të tij në krye të Bashkisë, duke i dhënë fund “këtij kaosi ligjor dhe të ndalojë absurdin në Bashkinë Himarë, duke trajtuar banorët e kësaj bashkie në mënyrë të barabartë me çdo qytetar tjetër të kësaj Republike”.

Reagimi i plotë:

Një lëmsh juridik i pamundur për t’u zgjidhur. Lëmsh i krijuar me kontributin e prokurorisë dhe gjykatës së posaçme kundër korrupsionit, të cilët nuk kanë kurajë t’i thonë JO z. Rama. Asnjë ligj dhe asnjë nen i Kushtetutës nuk e parashikon këtë që po ndodh në Bashkinë Himarë. Neni 61 i ligjit 139/2015 që trumbeton prefekti nuk zgjidh ndërprerjen e parakohshme të një mandati të mbaruar me kohë.

Asnjë praktikë e mirë evropiane, të cilave z. Rama iu referua, nuk thotë se kryetari i bashkisë caktohet nga partia humbëse e zgjedhjeve për kryetar bashkie. Asnjë praktikë e mirë evropiane nuk parashikon të caktohet nga prefekti si kryetar bashkie një person që nuk është zgjedhur as këshilltar bashkiak, por është emëruar nga humbësi.

Shkelët Kushtetutën dhe atë që u votua nga sovrani nuk e lejuat të betohet. Në kundërshtim me ligjin, caktoni një kryetar të ri bashkie, siç edhe Prefekti e deklaroi, dhe e interpretoni ligjin ashtu siç ju intereson. Juve nuk ju intereson ligji, por ju intereson vetëm të mos betohet, qoftë edhe për një orë të vetme, ai që u zgjodh kryetar bashkie konform Nenit 109 të Kushtetutës. Për ju, ligji është thjesht një copë letër bakalli. Me gjasë, letër bakalli është edhe për z. Tavo, i cili në kundërshtim me ligjin, dje u tregoi këshilltarëve si të mendonin, sot mori pjesë në mbledhjen e këshillit bashkiak për t`u siguruar që e kishin kuptuar drejt urdhrin e tij. Pa patur asnjë kompetencë, filloi sot fjalimet elektorale duke premtuar tituj pronësie.

Zgjidhja e vetme është respektimi i Kushtetutës. Zgjidhja e vetme është të lejohet fituesi i zgjedhjeve të betohet. Është e vetmja gjë që mund t’i japë fund këtij kaosi ligjor dhe të ndalojë absurdin në Bashkinë Himarë, duke trajtuar banorët e kësaj bashkie në mënyrë të barabartë me çdo qytetar tjetër të kësaj Republike që ushtroi të drejtën e tij elektorale në zgjedhjet e datës 14 maj.
Dhionisios – Alfred Beleri
Kryetar i zgjedhur i Bashkisë Himarë
(sepse kryetari i bashkisë zgjidhet nga populli dhe jo nga vota e 15 njerëzve të trembur)