Rajoni

Edhe pas liberalizimit, qytetarët e Kosovës nuk mund të udhëtojnë në Spanjë!

Edhe pse liberalizimi i vizave vlen për të gjitha vendet e zonës Schengen, qytetarët e Kosovës nuk do të mund të udhëtojnë në Spanjë, për shkak se ky shtet anëtar i Bashkimit Europian nuk ua njeh pasaportat. Këtë e konfirmoi zëdhënësja e Komisionit Europian për Çështjet e Brendshme, Anitta Hipper.

E pyetur nëse qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë në Spanjë, nuk e veçoi në mënyrë specifike këtë vend, por u shpreh se “liberalizimi nuk do të vlejë për një shtet”.

Njohja e dokumenteve të udhëtimit është kompetencë shtetërore. Në mesin e vendeve të Schengen-it, të gjithë me përjashtim të një vendi i kanë njohur dokumentet e udhëtimit të Kosovës. Kjo do të thotë se liberalizimi iu  mundëson shtetasve me pasaporta të Kosovës, të udhëtojnë pa viza në të gjithë këto shtete, me vetëm një përjashtim.

Më 1 korrik të këtij viti, Spanja merr kryesimin e Bashkimit Europian dhe bashkë me Greqinë, Qipron, Rumaninë e Sllovakinë, ky vend nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Por, gjatë procesit të miratimit të vendimit për vizat, nuk kundërshtoi. Megjithatë, katër shtetet e tjera anëtare të Unionit i njohin pasaportat e lëshuara nga autoritetet e Kosovës.

Tre ditë më parë, Parlamenti Europian miratoi vendimin për vizat, ndërsa dokumenti u firmos më 19 prill në Strasburg. Vendimi përcakton që qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Schengen, prej 1 janarit të vitit 2024.

Po ashtu, regjimi pa viza mundëson udhëtime deri në 90 ditë brenda gjashtë muajve në secilin nga shtetet anëtare të zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme si këto dhe në asnjë rast nuk nënkuptojnë leje pune ose përfitime të tjera. Aktualisht, Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.